Presidenti ukrainas kërkon më shumë armë nga vendet e G7-ës

Sot është dita e 124-të e invazionit ushtarak rus në Ukrainë. Zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim: 

Rusia i ka intensifikuar sulmet ajrore në Ukrainë gjatë fundjavës, duke e përfshirë kryeqytetin e Kievit, ndërsa qyteti strategjik lindor i Sievierodonetsk ra në duart e forcave pro-ruse. Nuk kishte pasur sulme të mëdha në Kiev që nga fillimi i qershorit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “është më shumë barbarizëm i tyre”, duke iu referuar sulmeve me raketa në Kiev, teksa liderët e vendeve të G7 u mblodhën për një samit në Gjermani.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, do ta përdorë seancën e së hënës në samitin e G7 në Gjermani për të bërë thirrje për veprim urgjent për të ndihmuar në nxjerrjen e furnizimeve jetike të grurit nga portet e bllokuara të Ukrainës për ta mbështetur ekonominë e vendit dhe për t’i lehtësuar mungesat në mbarë botën, raporton AP.

Johnson do të bëjë thirrje për një zgjidhje ndërkombëtare të krizës, duke përfshirë gjetjen e rrugëve tokësore për furnizimet me grurë për ta mposhtur bllokadën ruse, me 10 milionë funte materiale dhe pajisje për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar hekurudhore.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se vendet e G7 duhet t’i përgjigjen sulmeve të fundit raketore duke vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë dhe duke ofruar më shumë armë të rënda për Ukrainën.

Zelenskiy u bëri thirrje bjellorusëve që të solidarizohen me Ukrainën.

“Udhëheqja ruse dëshiron t’ju tërheqë në luftën Ukrainë-Rusi, sepse nuk i intereson për jetët tuaja. Mirëpo ju nuk jeni skllevër dhe mund të vendosni vetë për fatin tuaj”, tha Zelenskiy në një video adresë drejtuar bjellorusëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i vizitojë dy ish-shtete të vogla sovjetike në Azinë qendrore këtë javë, njoftoi televizioni shtetëror rus të dielën, në atë që do të ishte udhëtimi i parë i njohur i liderit rus jashtë vendit që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës. Putin do ta vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian, Joko ëidodo, për bisedime në Moskë, thuhet në raportin e stacionit televiziv Rossiya 1.

Divizioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë tha të dielën se që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në shkurt, ajo “ka marrë qindra akuza për torturë dhe keqtrajtim, duke përfshirë dhunën seksuale të lidhur me konfliktin”. “Njerëzit u mbajtën të lidhur dhe me sy të lidhur për disa ditë, u rrahën, iu nënshtruan ekzekutimeve tallëse, u futën në një kuti metalike të mbyllur, u detyruan të këndonin ose të bërtisnin parrulla lavdëruese, u pajisën me ushqim ose ujë të pamjaftueshëm ose të pakët, dhe u mbajtën në dhoma të mbipopulluara pa kanalizime ”, është deklarata e bërë nga misioni monitorues i OKB-së për të drejtat e njeriut në Ukrainë.

Franca është bërë vendi më i fundit që i ka rishqyrtuar opsionet e saj të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke njoftuar të dielën se po e shqyrton rihapjen e një termocentrali të mbyllur së fundmi me qymyr. Ministria e tranzicionit të energjisë tha se po e shqyrton rihapjen e stacionit në Saint-Avold në Francën lindore këtë dimër, “duke pasur parasysh situatën në Ukrainë” dhe efektin që ajo kishte në tregjet e energjisë.

Forcat ukrainase kanë sulmuar një platformë shpimi në Detin e Zi në pronësi të një kompanie të naftës dhe gazit të Krimesë, agjencia ruse e lajmeve Tass citoi zyrtarët lokalë të dielën – sulmi i dytë brenda një jave. Platforma operohet nga Chernomorneftegaz, të cilën zyrtarët e mbështetur nga Rusia e kapën nga operatori kombëtar i gazit i Ukrainës Naftogaz si pjesë e aneksimit të gadishullit nga Moska në 2014.

Kanadaja i ka dislokuar dy anije luftarake në Detin Baltik dhe në Atlantikun verior të dielën, duke iu bashkuar një çifti fregate tashmë në rajon në përpjekje për ta përforcuar krahun lindor të NATO-s në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Anijet e marinës Kingston dhe Summerside do të jenë në një dislokim katër mujor si pjesë e “masave parandaluese në Evropën Qendrore dhe Lindore” të nisura në vitin 2014 pasi Moska aneksoi Krimenë, thotë përmes një deklarate marina kanadeze./The Guardian