Presidenti turk, Erdogan: Suedia të mos presë mbështetje për aplikimin në NATO

Suedia nuk duhet të presë që Turqia ta mbështesë aplikimin e saj për anëtarësim në NATO, ka deklaruar presidenti turk Tajip Erdogan të hënën, disa ditë pasi një kopje e Kuranit u dogj në një protestë në Stokholm.

Suedia aplikoi për t’u bërë anëtare e NATO-s pasi Rusia pushtoi Ukrainën – por për një antarësim të Suedisë në këtë aleancë duhet që Turqia, tashmë një anëtare, ta japë miratimin e saj.

Protestuesit kurdë në Suedi varën një figurë të Erdoganit këtë muaj, pasuar nga djegia e Kuranit.

“Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga ne për NATO-n”- tha Erdogan në përgjigje.

“Është e qartë se ata që shkaktuan një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë, nuk mund të presin më asnjë dashamirësi nga ne për aplikimin e tyre”.

Protestës së të shtunës – por jo djegia e vetë librit – iu dha miratimi paraprak nga autoritetet suedeze.

Erdogan e dënoi protestën e fundit, të kryer nga një politikan i ekstremit të djathtë nga një parti daneze, si blasfemi që nuk duhet mbrojtur nga liria e fjalës.

Edhe qeveria suedeze kritikoi protestën.

“Suedia ka një liri të gjerë të shprehjes, por kjo nuk do të thotë që qeveria suedeze, ose unë, mbështesim mendimet e shprehura”- tha të shtunën Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom.

Duke iu përgjigjur komenteve të Erdoganit të hënën, Billstrom deklaroi se donte të kuptonte saktësisht se çfarë tha lideri turk përpara se të komentonte.

“Suedia do ta respektojë marrëveshjen që ekziston midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO”- shtoi ai.

Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën, mirëpo protestat e fundit atje i kanë rritur tensionet.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se liria e shprehjes është një “mall i çmuar” në vendet e NATO-s dhe se këto akte, megjithëse të papërshtatshme, nuk janë “automatikisht të paligjshme”.

Turqia, një vend me shumicë myslimane, e ka denoncuar vendimin e qeverisë suedeze për ta lejuar protestën si “plotësisht të papranueshme”.

“Askush nuk ka të drejtë t’i poshtërojë shenjtorët”- tha Erdogan në fjalimin e tij televiziv të hënën.

“Kur themi diçka, e themi me ndershmëri dhe kur dikush na çnderon, atëherë ia tregojmë vendin e vet”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala