Presidenti Thaçi në takim me përfaqësuesit e odave ekonomike Foto: ZPRK

Presidenti Thaçi takoi kryetarët e odave ekonomike

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot në takim kryetarët e dy odave ekonomike ku kanë diskutuar për hapat që duhet ndërmarrë në lidhje me rrethanat e krijuara në Kosovë pas përhapjes së coronavirusit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukuqin, si dhe Kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zekën, me të cilët ka biseduar për hapat që duhet ndërmarrë për t’i ndihmuar punëtorët dhe afaristët kosovarë në rrethanat e krijuara pas përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Thaçi ka kërkuar që të merren masa për të ruajtur ekonominë në vend.

“Është e rëndësishme që të ndërmerren hapa për ta ruajtur edhe ekonominë e vendit”, u shpreh presidenti Thaçi, thuhet tutje në komunikatë.

Gjatë natës së mbrëmshme, presidenti Thaçi i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votoj për propozimin e tij për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë.

Këtë propozim Thaçi e dha pas takimit që kishte mbajtur me Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, partia kryesore në qeveri e ka vlerësuar këtë masë si të ngutshme dhe të panevojshme.