Presidenti Thaçi përkrah ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka mbështetur vendimin për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në kryeqytet.

“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë”, shkruan Thaçi.

Sipas tij Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.

“Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern” shkruan presidenti.

Ndërsa, për protestat e sotme kundër ndërtimit të xhamisë, ai ka thënë se protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.