Presidenti Thaçi ka udhëtuar për në Hagë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka fluturuar sonte drejt Hagës, ku nesër pritet të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila kundër tij ka ngritur aktakuzë për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Thaçi drejt Hagës është nisur nga Aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sot gjatë ditës, presidenti Thaçi ka bërë homazhe te varri i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, kontributin e të cilit për liri e pavarësi e ka vlerësuar lartë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe ndaj disa luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Aktakuza duhet të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Nëse do të ndodhë konfirmimi i aktakuzës Thaçi ka thënë se do të japë dorëheqje të menjëhershme.