Presidenti slloven: Nëse zgjat lufta Rusi-Ukrainë, tensionet mund të zbresin në Ballkanin Perëndimor

Udhëheqësit turq dhe sllovenë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh dhe u zotuan të përmirësojnë më tej marrëdhëniet pas takimit të sotëm në Ankara.

“Si aleatë të NATO-s, Turqia dhe Sllovenia duhet të bashkëpunojnë, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdohan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun slloven, Borut Pahor.

Ai vazhdoi duke thënë se dy vendet kanë potencial për të bashkëpunuar edhe në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, raporton dailysabah.

Nga ana e tij, Pahor tha se Sllovenia vlerëson ndërmjetësimin e Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës për të lehtësuar tensionet në rajon.

“Nëse kjo luftë zgjat më shumë se sa pritej, tensionet mund të zbresin në jug në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Përpara konferencës së përbashkët, Turqia dhe Sllovenia nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Ndryshe, Erdogan e priti Pahorin në Kompleksin Presidencial në një ceremoni zyrtare. Gjatë takimit me dyer të mbyllura, liderët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, çështje rajonale dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/