Presidenti serb Aleksandar Vuçiq takohet me presidentin turk Erdogan

Presidenti Aleksandar Vuçiq sot ka zhvilluar një takim me Presidentin turk Erdogan, me të cilin thotë se kanë biseduar për zhvillim ekonomik dhe për çështjen e marrëveshjes në Washington.

Pas takimit Vuçiq ka thënë se ka pasur një bisedë të shkëlqyeshme me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, dhe se Erdoganin e konsideron mik të Serbisë dhe se së bashku kanë biseduar për të gjitha temat e rëndësishme, “Presidenti Turk tregoi respekt të madh për vendin tonë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka deklaruar se me presidenti turk Erdogan, gjithashtu kanë biseduar edhe për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës të arritur në Washington, raporton rts.rs.

Vuçiq gjithashtu ka shtuar se presidenti Erdogan ka treguar mbështetje për Serbinë dhe pozicionin e tyre karshi politikave, për të cilën Vuçiq thotë se ka hasur në mirëkuptimin e Turqisë.

“Në muajt e fundit kemi pasur një aktivitet dhe angazhim i shumtë, dhe një luftë e madhe në kushte të vështira për të shpëtuar ekonominë tonë”, ka shkruar Vuçiq pas takimit.

Vuçiq ka theksuar se ka biseduar me Erdoganin për bashkëpunimin politik, projektet e infrastrukturës, zonën industriale e cila do të jetë një nga dy ose tre më të mirat në botë dhe e cila duhet të ndërtohet në territorin e Vojvodinës.

“Kjo do të ishte një nxitje për rritjen e ekonomisë sonë. Ne gjithashtu biseduam për marrëdhëniet rajonale, si mund të ruajmë paqen dhe stabilitetin, si dhe për bashkëpunimin tonë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare”, ka shkruar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se pozitat në skenën gjeopolitike po ndryshojnë në mënyrë dramatike, dhe se Serbia ka fituar vëmendje, kurse qëndrimi i vendeve tjera ndaj saj ka ndryshuar.

Vuçiq vuri në dukje se pala amerikane gjithashtu ka ndryshuar qëndrim, gjë që mund të shihet në faktin se ata janë të gatshëm ta respektojnë Serbinë dhe të flasin me Serbinë.

“Ndryshim i madh”, ka thënë Vuçiq duke kujtuar faktin se në muajt e fundit ai ka takuar liderë si Putinin, Merkel, Macron, Trump, Erdoganin, si dhe me shumë udhëheqës rajonal.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë pati një takim me Presidentin Erdogan.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe për bisedën produktive për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale dhe globale”, pati shkruar Thaçi në Facebook.

Së bashku me të ishte edhe kryetari i AKS-së, Behgjet Pacolli.

Thaçi flet për takimin që pati me Erdoganin