Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Foto: Facebook

Presidenti nuk i përgjigjet kërkesave të Konjufcës për kthimin në shtëpi të disa ambasadorëve

Kanë kaluar 8 javë prej kur ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga presidenti dekretimin e vendimit për tërheqjen nga misioni të 7 ambasadorëve të Kosovës dhe 3 shefave të misioneve diplomatike.

Më 3 mars Konjufca kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër), për shkak të përfundimit të mandatit.

Mirëpo deri më tani presidenti Thaçi nuk i është përgjigjur kërkesës së Konjufcës, kështu ka konfirmuar për KALLXO.com shefi i kabinetit të ministrit Konjufca, Kreshnik Ahmeti.

“Janë bërë më shumë se 8 javë prej që ne i jemi drejtuar zyrës së Presidentit për t’i tërhequr dekretet për shefat e misioneve të cilët janë në një mandat të dytë, e që në bazë të akteve ligjore është i jashtëligjshëm. Që nga ajo kohë ne kemi hasur në një neglizhencë të madhe nga ky institucion i cili ende nuk është në gjendje që të kthejë përgjigje. Diplomatët në fjalë nuk mund të kthehen pa këtë veprim formal të Presidentit”, ka thënë ai për KALLXO.com

Ahmeti ka shtuar se kjo qasje e Presidentit dhe zyrës së tij është shumë e dëmshme per Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, është imazh shumë i keq për Republikën e Kosovës kur Presidenti nëpërmjet neglizhencës së tij mbanë në detyrë shefa të misioneve të cilët Qeveria ka kërkuar që të kthehen, sepse po qëndrojnë jashtëligjshëm. Kjo e ulë kredibilitetin e shefave të misioneve në vendet pritëse dhe rrjedhimisht edhe kredibilitetin e Republikës sonë”, ka theksuar ai.

Ahmeti ka thënë se shumica e ambasadorëve janë pajtuar me vendimin e ministrisë për tu liruar nga detyra.

“Duhet ta kemi parasysh që Presidenti në këtë proces ka rol ceremonial dhe nuk ka kompetencë për të ndaluar kthimin e diplomatëve, e aq më pak të atyre që po qëndrojnë jashtëligjshëm”, ka shtuar ai.

Ahmeti ka konfirmuar që krahas ambasadorëve kanë kërkuar edhe lirimin e tre shefave të misioneve diplomatike duke mos treguar saktësisht se për kë bëhet fjalë.

“Ne kemi kërkuar lirimin edhe të dy shefave të tjerë të misioneve dhe kthimin në MPJD të një shefeje tjetër. Dy të parëve u ka skaduar mandati dhe kanë qenë të emëruar politik, prandaj është koha që të lirohen. Ndërsa, diplomatja e tretë ka pasur një mandat të tejzgjatur e që nuk përputhet me aktet ligjore dhe me praktikat e mira diplomatike dhe përderisa është diplomate e karrierës do të kthehet në MPJD. Edhe për këto raste, ende nuk kemi përgjigje nga Zyra e Presidencës”, ka theksuar ai.

Ndërsa më 2 prill, Konjufca përmes një letre i ka kërkuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi që ta tërheq nga misioni diplomaten Fatmire Musliu, e cila mbanë gradën Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë.

KALLXO.com tash e disa ditë ka kërkuar përgjigje nga Presidenca për kërkesën e ministrit të Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtit nuk iu janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Më 3 mars ministri i Punëve të Jashtme Galuk Konjufca ka marrë vendim për shkarkimin e disa ambasadorëve duke përfshirë edhe ambasadoren Vlora Çitaku, Edon Canën, Lirim Grejçevcn, Shpend Kallabën, Mimoza Ahmetajn, Ylber Hysën si dhe Ramadan Avdiu.

Më 20 shkurt shefi i diplomacisë kosovare përmes një vendimi kishte shkarkuar edhe 14 konsuj.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!