Ilustrim

Presidenti, kryeparlamentarja e kryeministri urojnë besimtarët islamë për muajin e shenjtë

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë uruar besimtarët islamë për muajin e shenjtë – Ramazanin.

Në urimin e tij, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se përmes agjërimit, si një prej obligimeve themelore të fesë islame, besimtarët e sprovojnë durimin, disiplinën fizike dhe shpirtërore për një muaj, duke forcuar ndjenjat e paqes, solidaritetit dhe mirësisë me njëri-tjetrin.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur faktin që për shkak të pandemisë COVID-19, nuk do të mund të bashkohen familje e miq për iftar.

“Por, të gjithë ne jemi të bashkuar në zemrat tona për ta fituar betejën me Coronavirusin dhe për ta bërë Kosovën vend më të mirë e vend ku integriteti e humanizmi janë vlera mbizotëruese. Agjërim të lehtë!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Besimtarët e fesë islame i ka uruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Ky muaj, për besimtarët është muaji i agjërimit, i cili kufizon lakminë e gojës e të barkut, dhe lartëson bujarinë e drejtësinë e zemrës e të mendjes. Është muaji ku më shumë sheh e dëgjon shpirti, sesa veshi e syri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Edhe Kurti ka bërë thirrje që për shkak të pandemisë të dëgjohet thirrja e institucioneve shtetërore e fetare për t’i respektuar masat për parandalimin e COVID-19.

“Dhe kjo thirrje duhet respektuar, që të mbrojmë njëri-tjetrin prej sëmundjes së rrezikshme, të cilën do ta kalojmë sa më shpejt, me ndihmën e Zotit e të mjekësisë”, ka shkruar Albin Kurti.