Foto: Nato Summit/Twitter

Presidenti kroat në Samitin e NATO-s propozoi që Kosova të integrohet për t'u bërë shtet i plotë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në Samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet e të bëhet më në fund shtet i plotë.

Kështu ka bërë të ditur Milanoviq për median kroate index.hr

Milanoviq ka thënë se katër anëtarë të aleancës ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Kam propozuar që Kosova të integrohet, që më në fund të bëhet një shtet i plotë”, shtoi Milanoviq.

Milanoviq bëri të ditur se në samitin e NATOS-s është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, sipas tij, në këtë mes nuk janë përmendur edhe Serbia e Kosova.

“Rajoni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është më i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

Presidenti kroat tutje theksoi se Serbia është në një krizë identitare dhe janë vetëm një fusnotë për Rusinë.

“Serbia, pas pak ditësh kanë zgjedhje dhe kam përshtypjen se është në krizë identiteti për një kohë të gjatë dhe se është e vështirë për të kuptuar se ata janë vetëm një fusnotë për Rusinë”, vazhdoi ai.

Lufta në Ukrainë, Samiti i NATO-s në Bruksel nis punimet