Flamuri i Koresë së Jugut Foto: Pixabay
Presidenti jugkorean rrezikon të shkarkohet pas debaklit me shpalljen "e gjendjes së jashtëzakonshme"
Deputetët e Koresë Jugore i kanë bërë thirrje të mërkurën presidentit Yoon Suk Yeol që të japë dorëheqje, ose rrezikon të shkarkohet pasi një ditë më parë, shpalli “gjendje të jashtëzakonshme”- për t’u sprapsur vetëm disa orë më vonë, duke shkaktuar krizë politike në ekonominë e katërt më të madhe të Azisë- ka raportuar më 04.12.2024 agjencia e lajmeve Reuters.
Shpallja e befasishme “e gjendjes së jashtëzakonshme” shkaktoi pakënaqësi të mëdha të martën, teksa parlamenti e refuzoi përpjekjen e tij që të suspendojë kompetencat civile të qeverisjes – duke synuar ndalimin e aktivitetit politik e censurimin e mediave. Vendimi i Presidentit detyroi trupat ushtarake që të merrnin udhë drejt ndërtesës së Asamblesë Kombëtare në Seul.
Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, i ka bërë thirrje Yoonit, i cili është zgjedhur më 2022, të japë dorëheqje ose do të përballet me nisjen e procedurave për shkarkimin e tij në Parlament.
“U zbulua sheshazi para mbarëkombit se Presidenti Yoon më nuk mund ta drejtojë vendin normalisht. Ai duhet të japë dorëheqje”- ka deklaruar deputeti Park Chan-dae.
Gjashtë parti opozitare jugkoreane kanë thënë se do të dorëzojnë kërkesën procedurale “për shkarkimin e Yoonit në parlament” të mërkurën, ka njoftuar Partia Demokratike për mediat. Kërkesa pritet të hidhet për votim të premten ose të shtunën.
Lideri i Partia e Pushtetit Popullor në pushtet ka kërkuar që ministri i Mbrojtjës, Kim Yong-hyun, të shkarkohet dhe mbarë kabineti qeveritar të japë dorëheqje.
Yooni deklaroi, në një adresim të vonshëm të martën mbrëma në televizionin kombëtar, se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ishte e domosdoshme për ta mbrojtur vendin nga Koreja Veriore – e armatosur me armë atomike dhe nga forcat antishtetërore të proVeriut. Ai, gjithashtu, tha se kështu do të mbrohej rendi kushtetues, megjithëse nuk tregoi kërcënime specifike.
Skena kaotike pati derisa trupat ushtarake u munduan të merrnin kontrollin e ndërtesës së Parlamentit. Pati përleshje ndërmjet deputetëve e trupave në objekt, derisa para objektit, protestuesit u përleshën me Policinë.
Ushtria deklaroi se aktivitetet e Parlamentit dhe të partive politike do të ndaloheshin, e se mediat e botuesit do të futeshin nën kontrollin e komandës ushtarake, që do të zbatonte gjendjen e jashtëzakonshme.
Por, deputetët sfiduan kordonin e sigurisë dhe brenda pak orësh pas Shpalljes së Presidentit, Parlamenti i Koresë Jugore, me 190 prej 300 deputetëve të tij të pranishëm, në mënyrë unanime aprovoi kërkesën “për shfuqizimin e gjendjes së jashtëzakonshme”. Në mesin e atyre që votuan “për” ishin edhe 18 deputetë të Partisë në pushtet të Yoonit. Presidenti pastaj tërhoqi vendimin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com