
Flamuri i Koresë së Jugut Foto: Pixabay
Presidenti jugkorean përballet me përpjekjen e dytë për arrestim në Rezidencën e fortifikuar
Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol përballet me një përpjekje të re dhe potencialisht më të vendosur për arrestimin e tij për kryengritje pasi një top hetues është zotuar se do të bëjë çmos që ta thyejë bllokadën e sigurisë dhe ta arrestojë liderin e shkarkuar – ka raportuar Agjencia e lajmeve Reuters.
Presidenti në detyrë, Choi San-mok u ka bërë thirrje autoriteteve të mërkurën, më 08.01.2025, që të bëjnë “më të mirën e tyre për të parandaluar çfarëdo lëndimesh ndaj qytetarëve ose të konfliktit fizik ndërmjet agjencive qeveritare”, derisa do të zbatojnë urdhrin për arrestimin e Yoonit.
Protestuesit që mbështesin dhe kundërshtojnë Yoonin e sfiduar kanë qëndruar në temperatura të acarta në tubime në rrugë përreth Rezidencës presidenciale të mërkurën, pasi një Gjykatë ka lëshuar edhe një herë fletarrestimin të martën kundër tij.
Shërbimi Presidencial i Sigurisë (PSS) ka fortifikuar Rezidencën gjatë javës me tela gjemborë dhe me autobusë të përdorur si barrikada për të bllokuar qasjen në Rezidencë – një vilë e cila ndodhet në një kodër në distriktin e njohur si “Beverly Hillsi” i Koresë Jugore.
Yooni po hetohet për kryengritje për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe për të nxjerrë Ushtrinë në rrugë më 3 dhjetor – një Vendim që kishte tronditur Korenë Jugore dhe që shkaktoi lëshimin e fletarrestimit të parë për arrestimin e Presidentit.
Ai po përballet edhe me gjykim për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.
Njëri prej avokatëve të Yoonit ka thënë se Presidenti nuk do të pranojë ekzekutimin e fletarrestimit, për shkak se është lëshuar nga një Gjykatë që nuk e ka këtë juridiksion dhe se ekipi hetues i formuar për hetimin e liderit në detyrë nuk kishte mandat për këtë punë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com