Presidenti i Ukrainës: Do ta mbrojmë vendin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dha një mesazh sfidues mëngjesin e 26 shkurtit, duke thënë se forcat ruse rrethuan Kievin, porse Ukraina nuk do të kapitullojë.

“Mos u besoni lajmeve të rreme”, tha Zelensky në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter.

“Unë jam këtu, nuk i dorëzojmë armët, do ta mbrojmë vendin tonë, të vërtetën, tokën, fëmijët tanë… Të gjitha këto do t’i mbrojmë”, tha ai, teksa qëndronte pranë Zyrës presidenciale në qendër të Kievit.

Më herët, ai i bëri thirrje vendit të tij që “të qëndrojë i palëkundur” kundër rrethimit që, siç tha, mund të përcaktojë të ardhmen.

Zelensky refuzoi ndihmën amerikane për evakuim, duke thënë se “lufta është këtu”.

Forcat pushtuese ruse raportohet se janë duke lëvizur drejt kryeqytetit Kiev, pas një breshërie sulmesh ajrore në qytete dhe baza ushtarake në të gjithë Ukrainën.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për shpërthimin e dy raketave në Kiev, por, tash për tash, objektivat e tyre nuk janë të qarta.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, postoi një fotografi në Twitter që, sipas tij, tregon dëmtimin e një blloku apartamentesh në Kiev nga sulmi raketor rus.

“Kievi, qyteti ynë i mrekullueshëm, paqësor, mbijetoi një natë tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketave… Njëri prej tyre ka goditur një apartament banimi në Kiev. I kërkoj botës: izolojeni plotësisht Rusinë, dëbojini ambasadorët, vendosni embargo në naftë, shkatërroni ekonominë e saj. Ndalojini kriminelët rusë të luftës!”, shkroi Kuleba në Twitter.

Zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse kanë hedhur raketa nga Deti i Zi në qytetet Sumi, Poltava dhe Mariupol dhe se ka pasur luftime të ashpra pranë qytetit jugor të Mariupolit.

Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë mëngjesin e 24 shkurtit, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Putin ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Perëndimi e ka dënuar ashpër ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe ka vendosur një varg sanksionesh, përfshirë disa kundër Putinit dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov./REL