Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Presidenti i Shqipërisë për masën ndaj Serbisë: Të dyja palët t'i tejkalojnë tensionet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas masës së reciprocitetit me targa për automjete të Serbisë.

Meta tha se ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës është faktor kyç për paqe në rajon.

“Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë”, ka shkruar Meta.

Tutje ai the se Serbia dhe Kosova duhet t’i tejkalojnë tensionet dhe të dialogojnë.

“Në këtë frymë palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA”, tha Meta.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë dhe të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe qytetarët e Serbisë që do të futen në Kosovë, sipas vendimit të fundit.