
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Foto: Presidenca e Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë e uron Kosovën për përvjetorin e Pavarësisë, bën thirrje për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë, duke nderuar sakrificën dhe përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe shtetësinë.
Presidenti Begaj është ftuar në ceremoninë e pritjes së organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë më 14.02.2025.
Sipas një njoftimi nga Presidenca e Shqipërisë, presidenti Begaj ka bërë thirrje për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Europian.
“Presidenti Begaj shprehu mirënjohje dhe nderim ndaj liderëve politikë, luftëtarëve të UÇK-së dhe gjithë shqiptarëve që bënë realitet ëndrrën për liri dhe pavarësi, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë dhe NATO” – thuhet në njoftimin e Presidencës shqiptare.
Begaj ka vlerësuar se Pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajon dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë europiane.
“Presidenti i Republikës apeloi Bashkimin Evropian për të lehtësuar raportet me Kosovën, si dhe vendet anëtare, të cilët ende nuk e kanë njohur, të rishikojnë vendimet e tyre” – ka shtuar Presidenca.
“Në aspektin strategjik, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të reja dhe roli i tij në sigurimin e paqes, zhvillimit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin nuk mund të përmbushet nëse ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin më pro tij, Kosovën.” – ka thënë Begaj.
Begaj ka përgëzuar autoritetet e Kosovës për arritjet gjatë këtyre 17 viteve në funksion të qytetarëve dhe demokracisë, duke përshëndetur edhe procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.
Fjalimi i plotë i presidentit Begaj:
Urime ditën e Pavarësisë!
Kosova e fitoi pavarësinë e saj përmes rezistencës paqësore të burrave të mençur, si Ibrahim Rugova lider dhe President historik i Kosovës, Adem Demaçit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me një regjim kriminal të ish- Jugosllavisë.
Ajo u ndërtua mbi sakrificat e mijëra burrave dhe grave që guxuan të ëndërrojnë një të ardhme në liri dhe më të mirë për fëmijët e tyre.
Ajo u pagua me gjakun e dëshmorëve, me lotët e nënave, me dhimbjen e të shpërngulurve dhe ende të pagjeturve dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë dhe gjenocidit.
Kauza e Kosovës bashkoi shtete e kombe.
Ndërhyrja e NATO-s është shembulli unik i reagimit dhe suksesi në mbrojtje të humanizmit dhe jetëve njerëzore.
Kjo pavarësi e Kosovës e arritur me gjak e sakrifica, duke patur në krah aleatët tanë dhe të duhurit, bëhet edhe më madhështore.
Pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajonin tonë dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane.
Pavarësia nuk mund të përkthehet vetëm në të drejta dhe liri, por edhe në përgjegjësi. Përgjegjësi para qytetarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, përgjegjësi të cilat Kosova i ka mbajtur me shumë maturi.
Brenda një kohe të shkurtër, Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, ka hedhur hapa gjigandë për të konsoliduar një shtet demokratik dhe funksional, që garanton të drejtat, një shtet që zhvillon procese të lira dhe demokratike zgjedhore.
Institucionet janë forcuar, ekonomia e saj po rritet dhe shoqëria është aktive e kërkon përparim e mirëqenie.
Shqipëria dhe Kosova, kombi shqiptar është aleati i përbetuar i vlerave Euroatlantike dhe ka mbështetjen më të madhe të këtyre vlerave në rajon e kontinent, një tregues tjetër ky i mençurisë për të projektuar të ardhmen dhe për të bërë zgjedhjen e duhur në kohë kaq të turbullta.
Tregues të tillë meritojnë më shumë mbështetje dhe vëmendje.
Dëshiroj të apeloj Bashkimin Evropian për tëlehtësuar raportet me Kosovën, si dhe vendet anëtare, të cilët ende nuk e kanë njohur, të rishikojnë vendimet e tyre.
Në aspektin strategjik, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të reja dhe roli i tij në sigurimin e paqes, zhvillimit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin nuk mund të përmbushet nëse ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin më pro tij, Kosovën.
Të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, i gjithë kombi shqiptar i gëzohen Pavarësisë së Republikës së Kosovës, rrugëtimit së saj dhe sukseseve që ajo ka arritur.
Shqipëria e Kosova janë dy shtete të një kombi, kombit shqiptar.
Dëshiroj të nxis bashkëpunimin më aktiv dhe konkret, sidomos në fushën ekonomikemidis dy qeverive dhe institucioneve tona, bashkëpunim që duhet të tejkalojë politikat e ditës dhe pengesat burokratike dhe që sjell më shumë shkëmbime dhe përfitime për qytetarët e dy vendeve tona.
Ne duhet të fitojmë kohën e humbur në të mirë të interesit të qytetarëve tanë dhe objektivave tona të përbashkëta për integrim, stabilitet e mirëqenie.
Nëse 26 vjet më parë diskutohej mbijetesa dhe çlirimi, nëse 17 vjet më parë pavarësia realizoi ëndrrën historike, gjenerata e sotme është përballësfidave të reja.
Sot kërkohet një qasje e re mjë qasje e re se si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, Kosovën më të mirë, hapësirën shqiptare më të mirë, më të zhvilluar, më të begatë e më evropiane.