Foto: Memli Krasniqi, Facebook

Presidenti i Shqipërisë drekon me kryetarin e PDK-së në Prizren

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me liderë të partive politike.

Pasditen e sotme ai ka drekuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, dhe kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totajn.

“Pasdite e këndshme në kryeqytetin historik e kulturor të shqiptarëve, në Prizren, ku drekuam me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe delegacionin e tij, të mirëpritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndërsa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar takimin në ambientet e Kuvendit të Kosovës me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Lidhur me ketë, Skender Hyseni nga LDK ka kritikuar Abdixhikun.

Në postimin e Hysenit thuhet se Abdixhiku ka pretenduar se presidenti Begaj duhet të shkonte në selinë e LDK-së për takim, e që sipas Hysenit, kjo shpërfaq ego infantile politike.

“Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së. Pa dashur të futem në detajet e protokolit, më duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare” – ka shkruar Hyseni.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj dje e ka filluar vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit.

Begaj zyrtarisht është betuar si president i Shqipërisë më 27 korrik.