Andrzej Duda - Foto: screen shot

Presidenti i Polonisë: raketa që goditi teritorin polak është "ndoshta një aksident" nga mbrojtja ukrainase

Presidenti polak Andrzej Duda ka thënë se raketa që goditi Poloninë të martën ishte “ndoshta një aksident” nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

“Nuk ka asnjë indikator se ky ishte një sulm i qëllimshëm ndaj Polonisë. Me shumë mundësi, ishte një raketë S-300 e prodhuar nga Rusia. Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që ishte një raketë e lëshuar nga pala ruse”- shkroi ai në Twitter të mërkurën. 

Ai shtoi se kishte “shumë indikacione” se ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase, e cila “për fat të keq ra në territorin polak”.

Duda tha gjatë një konference për shtyp se sulmi ishte “ndoshta një aksident” pasi Ukraina ndaloi një breshëri raketash ruse.

“Ka shumë mundësi” që një nga raketat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës të ketë rënë në territorin e Polonisë”- tha ai.

Raketa që goditi Poloninë lindore shënoi herën e parë që një vend i NATO-s u godit drejtpërdrejt gjatë konfliktit luftarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Në këtë incident kanë mbetur të vrarë dy persona./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala