Presidenti i Iranit e braktis intervistën e CNN pasi moderatorja Amanpour refuzoi ta vendosë shallin në kokë

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka hequr dorë nga një intervistë e planifikuar prej kohësh me kryemoderatoren ndërkombëtare të CNN, Christiane Amanpour në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të mërkurën, pasi ajo refuzoi një kërkesë të minutës së fundit për ta mbuluar kokën e saj me një shami.

Rreth 40 minuta pasi intervista ishte planifikuar të fillonte dhe me Presidentin Raisi që po vonohej, një ndihmës i tha Amanpour se presidenti i kishte sugjeruar që ta veshte një shall në kokë. Amanpour tha se ajo “e refuzoi me mirësjellje këtë kërkesë”.

Amanpour, e cila është rritur në kryeqytetin iranian Teheran dhe flet rrjedhshëm gjuhën farsi, tha se ajo mban veshur një shall në kokë sa herë që ka raportuar nga Irani si shenjë respekti ndaj ligjeve dhe zakoneve lokale, “përndryshe nuk do të mund të vepronte si gazetare”. Por ajo ka shtuar se nuk do ta mbulonte kokën për të kryer një intervistë me një zyrtar iranian jashtë një vendi ku nuk kërkohet një gjë e tillë.

“Këtu në Nju Jork, apo kudo tjetër jashtë Iranit, nuk më është kërkuar kurrë nga asnjë president iranian – dhe unë kam intervistuar secilin prej tyre që nga viti 1995 – qoftë brenda apo jashtë Iranit, asnjëherë nuk më është kërkuar ta mbuloj kokën me ndonjë shami”, tha ajo në programin “Neë Day” të CNN të enjten.

“Unë me shumë mirësjellje refuzova në emër të vetes time dhe CNN, dhe në emër të gazetareve femra kudo, sepse nuk është një obligim.”

Ligji iranian kërkon që të gjitha gratë ta mbulojnë kokën dhe veshje të lirshme në publik. Rregulli është zbatuar në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe është i detyrueshëm për çdo grua në këtë vend- duke përfshirë turistët, figurat politike që e vizitojnë Iranin si dhe gazetarët.

Amanpour tha se ndihmësi i Raisi-t e bëri të qartë se intervista – e cila do të ishte e para e presidentit iranian në tokën amerikane – nuk do të ndodhë nëse ajo nuk e mbulon koën e saj me një shami. Ai e quajti atë si “çështje respekti”, duke pasur parasysh se janë muajt e shenjtë të Muharremit dhe Safarit, dhe iu referua “situatës në Iran”, duke aluduar në protestat që e kanë përfshirë Iranin javën e kaluar për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini ndërkohë që ishte në paraburgim, pasi u arrestua nga policia morale e Iranit me një akuzë për shkelje të ligjit për shamitë e kokës./CNN