Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier - Foto: Twitter

Presidenti i Gjermanisë uron 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së shtetit, ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, në telegramin e tij, presidenti Steinmeier ka rikujtuar vitin 2008, duke thënë se e mban mend mirë, kur ndodhej në pozitën e ministrit të Jashtëm gjerman dhe kur bashkë me homologë të tjerë nga ShBA-të dhe Evropa u deklaruan pro njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ndaj është kënaqësi e veçantë të mund t’ju uroj në përvjetorin e katërmbëdhjetë të pavarësisë së vendit tuaj. Vendet tona janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin në pikëpamje politike, ekonomike dhe kulturore. Veçanërisht afër na sjellin kontaktet e shumta personale, para së gjithash ato të diasporës kosovare në Gjermani”, thuhet në telegramin e presidentit Steinmeier.

Më tej, në telegram, presidenti Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian.

“Në këtë kontekst një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës”, thuhet ndër të tjerë në telegramin e presidentit gjerman.

Të enjten më 17 shkurt, Kosova do të shënojë 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Me këtë rast, liderë institucionalë botërorë kanë dërguar telegrame urimi për përvjetorin e pavarësisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar telegram urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për 14-vjetorin e pavarësisë.

Në këtë telegram, presidenti amerikan potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.Duke vlerësuar angazhimin e Kosovës në ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore, presidenti amerikan flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkon që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke.

Liderët botërorë urojnë Kosovën për përvjetorin e pavarësisë