Presidenti francez, Emmanuel Macron - Foto: Facebook

Presidenti i Francës uron presidenten Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një letre, Macron ka shprehur përkrahjen e Francës dhe ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që ta lehtësojë integrimin evropian.

“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor […] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas” – ka thënë presidenti Macron.

Ai ka thënë se është thelbësor rifillimi i diskutimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e raporteve.

Macron ka bërë thirrje edhe për forcim të marrëdhënieve dypalëshe, prandaj ka treguar që disa ndërmarrje franceze janë të interesuara për ta mbështetur Kosovën në tranzicionin energjetik.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka uruar Osmanin për pavarësinë përmes një letre. Ai ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike dhe po ashtu edhe dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.