Foto: Pixabay

Presidenti i Austrisë uron 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta europiane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 17.02.2025, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti Van der Bellen ka theksuar lidhjet e forta që bashkojnë Austrinë dhe Kosovën, duke vënë në dukje se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta evropiane dhe qëndrime të ngjashme mbi shumë çështje.

Presidenti austriak ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe ka siguruar se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej në rrugën evropiane të Kosovës.

Më 17.02. 2025 shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës – një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.