Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. 1 dhjetor 2022. Foto: Parlamenti i Shqipërisë

Presidenti gjerman: Mesazhe shprese për zhvillim dhe afrim me BE-në

Presidentit i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier vlerësoi gjatë vizitës në Shqipëri arritjet e vendit dhe konfirmoi vijimin e mbështetjes gjermane drejt perspektivës evropiane.

Vizita dyditore e Presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në Shqipëri solli në vend shpresa të mëdha për zhvillim dhe afrim drejt perspektivës europiane.

“Takimi ynë përcaktohet nga shpresat e mëdha për të ardhmen, nga lumturia për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe perspektiva e këndshme e një BE-je të pasuruar nga Shqipëria si një anëtare e re. Pa aderimin e Shqipërisë, projekti evropian është i paplotë,” i tha Presidenti Steinmeier, homologut të tij shqiptar, Bajram Begaj, në pritjen e organizuar për nder të tij.

Të rëndësishme që shpresat të realizohen, mbeten puna dhe përkushtimi. Këtë mesazh dha Presidenti gjerman në fjalën e tij në Parlamentin e Shqipërisë, kur u bëri thirrje deputetëve “punoni përtej ndarjes opozitë-qeveri për të luftuar padrejtësitë, zmbrapsur korrupsionin, krimin e organizuar dhe vijuar reformën në drejtësi”.

“Destinacioni ia vlen. Ju mund të besoni në mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, në miqësinë që bashkon vendet tona,” tha ai në fjalën e tij në Parlament dhe pritjen e organizuar nga Presidenti Begaj.

Mimi Kodheli, kryetare e komisionit parlamentar për politikën e jashtme e vlerëson Gjermaninë si një nga vendet e BE që ka besuar më shumë tek Shqipëria dhe e ka mbështetur atë në proceset integruese. “Procesi i Berlinit mbetet procesi më serioz dhe mbështetës ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti. Gjermania mbetet vendi me lobimin më të fuqishëm në favor të integrimit europian të Shqipëisë,” tha për DW, Mimi Kodheli.

Gjermania, BE, NATO dhe Shqipëria

Presidenti Steinmeier e vlerësoi Shqipërinë si “një vend partner të rëndësishëmtë Gjermanisë dhe të BE-së.” Këtë vlerësim ai e mbështeti në rolin e Shqipërisë në mbrojtjen kolektive dhe angazhimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, “në një periudhë jo të lehtë”, sikurse vuri në dukje ai.

“Në kontekstin e luftës në Ukrainë është e rëndësishme të ruajmë dhe të forcojmë kohezionin brenda Evropës. Shqipëria jep kontribut në këtë synim duke mbështetur politikën e jashtme të BE-së dhe është një partnere e besueshme e NATO-s, në mbrojtjen e krahut lindor dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor,” tha Steimeier në Tiranë.

Marrëdhëniet dypalëshe drejt forcimit

Presidenti Steinmeier dha mesazhe shprese edhe për rritjen e nivelit të marrëdhënieve dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, të nisura që në vitin 1988 dhe të konkretizuara deri tani me 200 marrëveshje bashkëpunimi.

“Vëllimi i shkëmbimeve tregëtare mes dy vendeve arriti vitin e kaluar në rreth 450 milionë euro. Gjermania renditet në vendin e katërt, si partneri më i madh tregëtar i Shqipërisë, bizneset gjermane janë aktive në Shqipëri, ” tha ai.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë Presidenti gjerman vizitoi një nga bizneset gjermane:kompaninë “Lufthansa Industry Solutions” që ofron në Shqipëri shërbime në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Vizita e presidentit Steinmeier në Shqipëri ka një rëndësi të madhe, sepse jo vetëm tregon mbështetjen ndaj bizneseve gjermane ekzistuese, por përçon edhe një mesazh nxitës për biznese të tjera që ta konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion për të investuar. Nga ana tjetër, sigurisht që Shqipëria duhet të vijojë me përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit, duke forcuar shtetin ligjor si një faktor thelbësor për rritjen e investimeve në vend, ” tha për DW , Alva Sena Obzova nga DIHA – Shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri.

Steinmeir: Integrimi evropian i sigurtë kur bëhet përballja me të kaluarën

Zbardhja e të kaluarës komuniste, e vërteta për regjimin diktatorial komunist, krijimi i kulturës së kujtesës përbën një fushë tjetër të mbështetjes së fuqishme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë me një qëllim largpamës: parandalimin në kohë të simptomave të rikthimit të regjimeve totalitare.

Në vizitën që bëri në muzeun “Shtëpia me Gjethe” të përgjimeve nga policia sekrete e njohur me emrin famëkeq “Sigurimi i Shtetit” presidenti gjerman dha mesazhin e rëndësisë që ka ballafaqimi me të kaluarën komuniste.

“Demokracia dhe integrimi evropian janë të sigurta kur bëhet përballja me të shkuarën. Për këtë nuk ka ndonjë manual. Çdo vend ka proceset e veta,” tha presidenti gjerman.

Genta Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit, thotë për DW se përballja me të kaluarën është shndërruar vitet e fundit në një çështje prioritare.

“Shqipëria po përjeton sot një lëvizje në rritje për zbardhjen e së shkuarës komuniste, në bazë faktesh të reja që ofrojnë arkivat e Sigurimit. Kemi një qasje të garantuar dhe të pa penguar në dokumentat historike të këtyre arkivave. Po bashkëpunojmë me familjet e përndjekura për të dëshmuar përndjekjen e tyre dhe siguruar zbatimin e politikave reabilituese, dëshpërblimeve apo pensioneve. Synojmë njohjen e asaj periudhe nga brezat e rinj, që ata të reflektojnë, nderojnë viktimat dhe të ndodhë pajtimi,” thotë për DW, Blerta Sula.

Vizitë në Berat

Në përfundim të vizitës në Shqipëri Presidenti gjerman Steinmeier vizitoi qytetin 2 500-vjeçar të Beratit, të shpallur në vitin 2008 pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Vizita në kalanë e qytetit, kishat e lashta, Muzeun Ikonografik Kombëtar ”Onufri,” njohja me artin e mjeshtrit virtuoz të shekullit XVI, Onufrit, i mundësoi Presidentit gjerman të hedhë një vështrim në historinë dhe kulturën e lashtë të Shqipërisë./DW