Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti francez: Qeveria Kurti, alternativë politike dhe një shpresë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë kosovare.

Në letrën e urimit, Macron, e ka quajtur qeverisjen e re “alternativë politike dhe një shpresë”.

Ai ka paralajmëruar edhe organizimin e një Samiti në kryeqytetin francez për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Macron në letrën e tij ka kërkuar edhe heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Në fund të letrës, e cila mban datën 7 shkurt 2020, Emmanuel Macron e ka falënderuar në një formë të veçantë kryeministrin Albin Kurti.

“Dëshiroj të përshëndes angazhimin tuaj për të adresuar sfidat kryesore, me të cilat përballet Kosova: zhvillimi ekonomik dhe shoqëror dhe konsolidimi i shtetit të se drejtës, veçanërisht lufta kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në mes tjerash në letër-urimin e Presidentit francez drejtuar Albin Kurtit.

“Bashkëpunimi ynë i dendur dhe i larmishëm dypalësh, do të mbështetet së shpejti edhe nga vendosja në Kosovë e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, çka është një shembull konkret i riinvestimit të Francës, të cilin e kam dëshiruar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet më tej në letër.

Presidenti Macron tutje ka folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi, procesin të cilën ka kërkuar të fillojë sa më parë.

Për këtë, ai ka thënë se do të organizojë një Samit në Paris së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Hapi i parë natyrisht që duhet të jetë rifillimi i dialogut, të cilin unë jam i gatshëm ta lehtësoj duke organizuar në Paris, se shpejti, një Samit me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Kancelaren Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë Borrell. Rifillimi i dialogut nënkupton veprime nga te dyja palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina; dhe pezullimi nga Serbia të fushatës së saj për “çnjohjen” e Kosovës”, thuhet tutje në letrën e Macron.

“Pasi të rifillojë dialogu, do t’i takojë BE-së, përmes ndërmjetësimit të saj të mbështesë përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht obliguese me Serbinë. Franca do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje”, ka thënë Macron.

“Ju ftoj të tregoni guxim politik të nevojshëm për t’u angazhuar vendosmërisht në këtë rrugë të paqes dhe prosperitetit për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën me gjerësisht. Duke shpresuar t’ju takoj se shpejti, dhe duke ju shprehur edhe një herë urimet e mia për sukses në detyrën tuaj të re, ju lutemi pranoni, zoti Kryeministër, sigurinë e vlerësimit tim shume te larte”, thuhet në letër-urim.

Në fund, Presidenti i shtetit të Francës ia ka përmendur edhe një dhuratë që kryeministri kosovar ia ka bërë në të kaluarën atij.

“Faleminderit shumë për librin që më ka prekur shumë, mirupafshim së shpejti”, thuhet në fund 12 Feb 2020.