Presidenti dekreton Ligjin për Buxhet, hapet rruga për ndarjen e pagesave të pandemisë

Ligji për Buxhet është dekretuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kështu ka njoftuar vetë presidenti në Facebook. Ai tha se tani është hapur rruga që të ekzekutohen edhe pagat për qytetarët.

“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë”, ka shkruar Thaçi.

Ai tha se buxheti do të ndihmojë që qytetarët ta kalojnë sa më lehtë pandeminë e COVID-19.

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, thuhet në fund të postimit të tij.

Miratohet rishikimi i buxhetit 2020

www.kallxo.com