Foto: Atdhe Mulla

Presidenti Biden uron Vjosa Osmanin për 13-vjetorin e pavarësisë, përmend njohjen e ndërsjellë në marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në letër përmendet edhe marrëveshja me Serbinë, për të cilën thuhet se “në qendër e ka njohjen e ndërsjellë”.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhshme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Biden.

Tutje në këtë letër theksohet se populli amerikan i bashkohet urimeve të tij në 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten të forta bazuar në një përkushtim të përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si dhe forcën tuaj të qëndrueshme”, theksohet në telegramin e presidentit amerikan.

Kosova të mërkurën do të shënojë 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.