Presidenti Biden flet përpara ushtarakëve amerikanë në bazën ajrore RAF Mildenhall, Angli (9 qershor 2021)

Presidenti Biden rikthen forcat amerikane në Somali

UASHINGTON – Presidenti Joe Biden ka autorizuar ridërgimin në Somali të deri në 500 forcave amerikane, thanë të hënën zyrtarë amerikanë. Ish-Presidenti Donald Trump kishte urdhëruar tërheqjen e tyre gjatë presidencës së tij.

Deri në momentin e dhënies së urdhërit të tërheqjes, Shtetet e Bashkuara kishin në Somali rreth 700 ushtarakë që ndihmonin forcat vendase për të mposhtur rebelimin e grupit al Shabaab që kishte lidhje me al Kaidën.

“Presidenti Biden ka miratuar një kërkesë nga Sekretari i Mbrojtjes për të rivendosur një prani të vazhdueshme ushtarake amerikane në Somali, për të mundësuar një luftë më efektive kundër al Shabaabit”, tha një zyrtar i lartë i administratës, duke folur në kushte anonimiteti.

“Ky është një ripozicionim i forcave të gjendura tashmë në zonë që kanë udhëtuar brenda dhe jashtë Somalisë sipas nevojës, që kur administrata e mëparshme mori vendimin për t’i tërhequr”, shtoi zyrtari.

Prezenca e re do të përfshijë më pak se 500 forca amerikane, tha një tjetër zyrtar amerikan.

Zyrtari tha se politika amerikane që filloi nën drejtimin e ish-Presidentit Trump, për rotacionin e forcave brenda dhe jashtë vendit, kishte krijuar “rreziqe në mbrojtjen e forcave” dhe se Presidenti Biden “e mori vendimin për të rritur sigurinë dhe efektivitetin e forcave tona speciale”.

Grupi Al Shabaab kërkon të rrëzojë qeverinë dhe të vendosë sundimin e tij në Somali, bazuar në interpretimin e rreptë të ligjit islamik të Sheriatit.

Grupi kryengritës kryen shpesh sulme me bomba në Mogadishu dhe më gjerë, si pjesë e luftës së tij kundër qeverisë qendrore.

Somalia ka përjetuar konflikte dhe beteja klanore pa një qeveri të fortë qendrore që nga rënia e diktatorit Mohamed Siad Barre në vitin 1991. Qeveria ka pak kontroll përtej kryeqytetit dhe kontingjenti i Bashkimit Afrikan ruan në një “Zonë të Gjelbër”, sipas modelit të Irakut.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur më forca ushtarake në Somali që kur ish-Presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e tyre në dhjetor 2020, ushtria herë pas here ka kryer sulme në vend dhe ka pasur forca të pranishme në vendet fqinje./VOA