Presidenti Begaj tregon pse dështoi takimi me Abdixhikun

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka treguar pse nuk është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës dyditore në Kosovë.

Begaj ka thënë se takimet ishin paraparë të mbaheshin në Kuvendin e Kosovës, dhe se ftesat ishin dërguar që të tre liderët e partive opozitare të ishin të pranishëm bashkërisht në takim.

“Sipas përgjigjes së LDK-së dërguar stafit tim është që isha mirëpritur në zyrën e LDK-së” – ka thënë ai.

Tutje Begaj ka shtuar se ka qenë kërkesë e tij që më liderët e partive në Kosovë të takohej bashkërisht.

“Doja personalisht që takimet mes partive të bëheshin të unifikuara, jo të ndara, nuk ia arrita dot dhe i takova veç e veç”- ka thënë ai në një intervistë për RTK.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar me liderë të partive politike.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar takimin në ambientet e Kuvendit të Kosovës me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Lidhur me ketë, Skender Hyseni nga LDK ka kritikuar Abdixhikun.

Në postimin e Hysenit thuhet se Abdixhiku ka pretenduar se presidenti Begaj duhet të shkonte në selinë e LDK-së për takim, e që sipas Hysenit, kjo shpërfaq ego infantile politike.

“Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së. Pa dashur të futem në detajet e protokolit, më duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare” – ka shkruar Hyseni.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj dje e ka filluar vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e mandatit.

Begaj zyrtarisht është betuar si president i Shqipërisë më 27 korrik.