Presidenti Begaj pret në takim emsarin britanik Stuart Peach, flasin edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur sot në takim të dërguarin e Posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Përmes një shkrimi në Facebook, Begaj ka thënë se ka vlerësuar vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë.

“Gjatë takimit, vlerësova vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizova domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve” – ka shkruar Begaj.

Begaj ka thënë se është e një rëndësie të madhe, sipas tij, të ruhet uniteti, solidariteti dhe kohezioni mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si franko-gjerman.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas drekës së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.