Herbert Kickl, lider i partisë së djathtë ekstreme të Austrisë, Partia e Lirisë., Foto: Facebooku i Herbert Kicklit

Presidenti austriak mandaton djathtistin ekstrem për formimin e qeverisë

Presidenti austriak, Alexander Va nder Bellen e ka mandatuar të hënën më 06.01.2025 liderin e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO) që ta formojë një koalicion qeveritar, pasi përpjekja e centristëve për koalicion pa FPO-në dështoi papritmas në fundjavë – raporton Reuters.

Njoftimi shënon një kthesë të madhe dramatike për Presidentin, ish-lider i së majtës së Gjelbër, të cilët kaherë kanë qenë kritik ndaj FPO-së dhe janë përplasur me liderin e saj, Herbert Kickl, por pak mundësi mbetën për Van der Bellen pas dështimit të centristëve për krijimin e një koalicioni qeveritar.

FPO-ja euroskeptike dhe dashamire ndaj Rusisë fitoi Zgjedhjet parlamentare të shtatorit me 29% të përkrahjes së votuesve. Tani do të hyjë në negociata me partnerin e vetëm të mundshëm, Partinë Popullore Konservatore (OVP), me kërkesën që t’i prijë një Qeverie për herë të parë prej themelimit të saj në vitet pesëdhjetë nën drejtimin e një lideri që kishte qenë ushtarak i lartë në SS-in paramilitar elitar të Hitlerit.

“E kam ngarkuar atë me nisjen e bisedimeve me Partinë Popullore për formimin e një Qeverie.” – ka deklaruar Va nder Bellen në një adresim televiziv pas takimit me Kicklin, duke shtuar: “Nuk e kam ndërmarrë me qejf këtë hap”.

Dhe derisa Kickl po largohej pas takimit me Presidentin, qindra protestues, përfshirë studentë hebraikë dhe aktivistë të së majtës, e kanë vërshëllyer dhe kanë brohoritur “nazistët jashtë” – duke valuar njëherësh flamuj me slogane “Ne nuk duam një Austri djathtiste ekstremiste”.

Va nder Bellen e kishte zemëruar FPO-në, duke mos ia dhënë mandatin për formimin e Qeverisë menjëherë pas Zgjedhjeve, meqë asnjë partner koalicioni ishte shfaqur menjëherë për bashkëpunim me të. Mandati i ishte besuar Partisë Popullore konservatore dhe liderit të saj, kancelarit Karl Nehammer. OVP-ja e tij kishte dalë e dyta në Zgjedhje.

Përpjekjet e Nehammerit për të krijuar një koalicion, së pari trepartiak e pastaj dypartiak, me patitë tjera centriste dështuan në fundjavë – duke e detyruar atë që të jepte dorëheqje.

Nehammeri ka ngulmuar kaherë se partia e tij nuk do të qeveriste me Kicklin, duke theksuar se lideri i FPO-së beson në teori konspiracioni dhe se përbën kërcënim sigurie. Me tërheqjen e Nehammerit, mund të jetë hequr edhe vija e kuqe – shkruan Reuters. Pasuesi i tij i përkohshëm në krye të OVP-së, Christian Stocker ka thënë të dielën se partia e tij do të jetë pjesë e bisedimeve të udhëhequra nga Kickl.

“Ne jemi krejt në fillim. Nëse ftohemi në këto bisedime, rezultati i atyre bisedimeve është i hapur.” – ka deklaruar për televizionin ORF, Wilfried Haslauer, guvernatori i shtetit të Salzburgut, njeri me peshë në parti, që kishte qëndruar krah Stockerit në deklarimin e tij para mediave si lider i OVP-së.

Nëse dështojnë Zgjedhjet ka gjasë të ketë Zgjedhje të parakohshme dhe anketimet tregojnë se FPO-ja vetëm sa ka ardhur duke e ngritur mbështetjen prej shtatorit.

OVP-ja dhe FPO-ja kanë tejkaluar dallime për disa çështje – përfshirë ashpërsimin e masave ndaj emigrantëve.

Çështja më sprovuese në bisedimet e centristëve megjithatë ishte ulja e deficitit buxhetor, që pritet të tejkalojë tavanin e përcaktuar nga BE-ja prej 3% të prodhimit ekonomik të viteve 2024 dhe 2025.

Përderisa dy partitë bëjnë thirrje për ulje taksash, FPO-ja është zotuar se do të mënjanojë disa prej interesave të OVP-së, si Oda e fuqishme e Tregtisë. Ato janë përplasur edhe për kundërshtimin e FPO-së ndaj ndihmës për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe për planet aktuale për një sistem raketor të mbrojtjes.

Va der Bellen ka thënë vazhdimisht se do të jetë i kujdesshëm që të sigurojë “themelet e demokracisë” – përfshirë respektimin e të drejtat e njeriut, mediat e pavarur dhe anëtarësimin e Austrisë në Bashkimin Europian.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com