Presidenti amerikan, Biden: jam i gatshëm të flas me Vladimir Putinin për t’i dhënë fund luftës

Sot është dita e 282 e pushtimit rus në Ukrainë.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron paraqitën një front të bashkuar për Ukrainën me Bidenin duke thënë se ai do të bisedonte me presidentin rus Vladimir Putin nëse i njëjti është i gatshëm t’i japë fund luftës dhe vetëm në konsultim me aleatët e NATO-s. “Unë jam i përgatitur të flas me Putinin nëse në fakt ka një interes që ai të vendosë se po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ai nuk e ka bërë ende këtë”, tha Biden në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë me Macron të enjten. Macron tha se do të vazhdojë të bisedojë me Putinin në përpjekje “ta parandalojë përshkallëzimin dhe të marrë disa rezultate shumë konkrete”, siç është siguria e centraleve bërthamore.

Biden dhe Macron u zotuan ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për “mizoritë dhe krimet e luftës të dokumentuara gjerësisht” në Ukrainë. Biden shtoi se mbështetja e tyre do të vazhdojë përballë agresionit rus, i cili, sipas tij, se ka qenë “tepër brutal”. Në një deklaratë të përbashkët me presidentin francez, udhëheqësit u dakorduan se “synimi i qëllimshëm i civilëve dhe infrastrukturës civile përbën krime lufte, autorët e të cilave duhet të mbahen përgjegjës”.

Raketat ruse i kanë goditur lagjet në Kherson duke e ndërprerë energjinë në qytet e cila kishte filluar të rivendosej vetëm gati tri javë pas largimit të trupave ruse nga aty. Autoritetet lokale thanë se rreth dy të tretat e Khersonit janë më energji elektrike që nga mbrëmja e së enjtes. Disa banorë u mblodhën në stacionin e trenit ose në tendat e vendosura nga qeveria që siguronin ngrohje, ushqim, pije dhe energji elektrike për karikim të telefonave celularë.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko u tha banorëve që të rezervonin ujë, ushqim dhe rroba të ngrohta në rast të një ndërprerjeje totale të shkaktuar nga sulmet ruse. Shërbimi i emergjencave shtetërore të Ukrainës tha të mërkurën se nëntë persona janë vrarë nga zjarret në 24 orët e fundit pasi banorët e atjeshëm i kanë thyer rregullat e sigurisë duke u përpjekur t’i ngrohnin shtëpitë e tyre pas sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë.

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë humbur diku midis 10,000 dhe 13,000 ushtarë deri më tani në luftën kundër Rusisë, ka deklaruar këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak për një rrjet televiziv ukrainas të enjten. “Ne kemi shifra zyrtare nga shtabi i përgjithshëm, kemi shifra zyrtare nga komanda e lartë, dhe ato arrijnë në (midis) 10,000 dhe 12,500 deri në 13,000 të vrarë,” tha Podolyak për kanalin Kanal 24.

Më shumë se 1,300 të burgosur janë kthyer në Ukrainë që kur trupat ruse e pushtuankëtë vend, tha të enjten presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zelenskiy po fliste pas një shkëmbimi të ri të 50 të burgosurve me forcat ruse dhe pro-ruse. “Pas shkëmbimit të sotëm, tashmë janë 1,319 heronj që u kthyen në shtëpi”, tha Zelenskiy në Instagram, duke postuar një foto ku shiheshin disa dhjetëra burra duke mbajtur flamuj ukrainas.

Vendet e BE-së kanë rënë dakord paraprakisht për një tavan çmimi prej 60 dollarësh për fuçi për naftën detare ruse, thanë diplomatët të enjten. Evropa do të fillojë të zbatojë një embargo ndaj dërgesave ruse të papërpunuara nga e hëna, kështu që kufiri i çmimit do të zbatohet për naftën e eksportuar nga deti nga Moska në portet anembanë botës. Polonia ka mbetur të japë fjalën e saj të fundit ndërkohë që Estonia është nën presion për të hequr dorë nga kërcënimi i saj për ta vënë veton në çmimin tavan që ajo beson se është vendosur shumë lartë për të pasur ndikim në makinërinë ruse të luftës.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se është shumë herët për të arritur një vendim mbi bisedimet midis Polonisë dhe Gjermanisë për dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot nga Gjermania në Ukrainë. “Të gjithë jemi dakorduar për nevojën urgjente për ta ndihmuar Ukrainën, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i kërkoi presidentit kinez Xi Jinping që ta përdorë “ndikimin” e vendit mbi Rusinë për luftën e saj në Ukrainë gjatë një vizite në Pekin të enjten. “Unë i kërkova presidentit Xi, siç bëmë në samitin tonë BE-Kinë në prill, që ta përdorë ndikimin e tij në Rusi për ta respektuar kartën e OKB-së,” tha Michel. Presidenti Xi e bëri të qartë se Kina nuk po i ofron armë Rusisë dhe se kërcënimet bërthamore nuk janë të pranueshme, shtoi presidenti i Këshillit Evropian.

Spanja ka dhënë urdhër për rritjen e sigurisë në ndërtesat qeveritare dhe ambasadat pas zbulimit të bombave letër dhe pajisjeve ndezëse, duke përfshirë një të tillë që shpërtheu në ambasadën e Ukrainës në Madrid të mërkurën dhe një tjetër që u zbulua në ambasadën amerikane të enjten. Pajisjet i janë dërguar edhe kryeministrit, ministrisë së mbrojtjes, një kompanie armësh që prodhon raketahedhës të dhuruara në Kiev dhe një bazë ajrore ushtarake pranë kryeqytetit spanjoll.

Ukraina do të vendosë kufizime për organizatat fetare në vend që kanë lidhje me Rusinë. “Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes e ka udhëzuar qeverinë t’i propozojë [parlamentit] një projekt-ligj për ndalimin e aktiviteteve në Ukrainë nga organizatat fetare të lidhura me qendrat e ndikimit në Rusi”, tha Zelenskiy në fjalimin e tij të fundit kombëtar të enjten. “Zyrtarët e sigurisë kombëtare duhet t’i intensifikojnë masat për t’i identifikuar dhe luftuar aktivitetet subversive të shërbimeve speciale ruse në hapësirën fetare në Ukrainë”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala