Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentët e Sllovenisë, El Salvadorit dhe Bangladeshit urojnë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po vazhdon të pranojë letra urimi nga homologët e saj, në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Krerët e shteteve të Sllovenisë, El Salvadorit dhe Bangladeshit kanë uruar së fundmi përvjetorin e Pavarësisë.

Presidentja Osmani, më 18.02.2025, ka pranuar një mesazh urimi nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ka shprehur urimet më të përzemërta për presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës.

Në mesazhin e saj, Pirc Musar ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm.

Sipas njoftimit, ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

“Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare.” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, në mesazhin e tij, ka shprehur urimet më të sinqerta për presidenten Osmani dhe për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të forcës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës ndaj historisë dhe identitetit të tyre.

“Duke përgëzuar përparimin që ka arritur Kosova, presidenti Bukele ka ripotencuar vullnetin e El Salvadorit për t’i forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.” – thuhet në njoftim.

Në fund të mesazhit, presidenti Bukele ka përcjellë urimet më të mira për mirëqenie, prosperitet dhe sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo festë duhet të jetë një burim gëzimi dhe një angazhim ndaj idealeve që kanë formësuar shtetin e Kosovës.

Edhe presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin e ka uruar presidenten Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti Shahabuddin ka vënë në dukje zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe midis Bangladeshit dhe Kosovës gjatë viteve të fundit, duke theksuar rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit, presidenti Shahabuddin ka shprehur bindjen e tij se marrëdhëniet midis dy shteteve do të vazhdojnë të forcohen dhe të zhvillohen në vitet në vijim, duke kontribuar në përfitimin e ndërsjellë të qytetarëve.

Më 17.02. 2025, Kosova ka shënuar 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.