Presidentët e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës të shqetësuar me zhvillimet e fundit në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju-Jork në kuadër të javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka zhvilluar takim me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.
Përmes një komunikate të përbashkët tre presidentët janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit në rajon duke shtuar se qëllim i përbashkët i tyre është ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të tre presidentët ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje”, thuhet në komunikatën e Presidencës.