Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentes i kërkohet të iniciojë emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit po i kërkohet që të iniciojë procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se presidentja e vendit duhet që sa më parë të iniciojë këto procedura.

Sipas Cakollit, Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme përcakton që mandati i anëtarëve të rinj duhet të fillojë më së voni 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, që në rastin aktual i bie më së largu deri më 12 maj.

“Por, duke marrë parasysh procedurat konsultative dhe administrative që mund të zhvillohen, si dhe qëllimit që emërimet të kryhen në afatin sa më të shkurtër kohor, duhet që Presidentja pa vonesa të kërkojë nga grupet parlamentare propozimet për emërim të anëtarëve të KQZ-së”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka treguar se bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, përbërja politike e KQZ-së do të duhet të ishte si vijon: LVV – 2 anëtarë; PDK – 2 anëtarë; LDK – 1 anëtar; AAK – 1 anëtar; 1 anëtar nga komuniteti Serb (LS); 1 anëtar nga komuniteti Boshnjak (VAKAT); 1 anëtar nga komuniteti Turk (KDTP); 1 anëtar nga komuniteti Egjiptian (IRDK).

Hulumtuesi nga KDI-ja ka shtuar se mandati i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka është i vlefshëm deri në prill të vitit 2025.