Presidenja Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Mal të Zi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Milo Gjukanoviq ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Sipas komunikatës së Presidencës, gjatë vizitës në shtetin fqinj, presidentja Osmani do të zhvillojë takim me Gjukanoviqin, ku përveç konfirmimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore, do të diskutohet edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Përveç me presidentin malazez, presidentja Osmani gjatë vizitës në Mal të Zi do të takohet edhe me kryeministrin Dritan Abazoviq.

Sipas Presidencës, në agjendën e presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.

“Në Ulqin, Presidentja Osmani përveç takimit me Kryetarin Omer Bajraktari, do të realizojë takime të ndara me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi dhe një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës. Kurse në komunën e Tuzit, pas takimit me Kryetarin Nik Gjeloshaj do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili njëherit është edhe investimi më i madh nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Gjukanoviq ka vizituar Kosovën në maj të vitit të kaluar.

Osmani në takim me Gjukanoviqin, kërkon mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësim në Këshillin e Evropës