Presidencialet në ShBA- Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë

11:54 – Zyrtare, Trump zgjidhet president i SHBA-së

Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.Republikani Trump 78-vjeçar, ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë president.

Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Donald Trump ka qenë president i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.

11:14- Hoti uron Trumpin: Mbarësi e suksese në katër vitet në vijim

Ish kryeministri Avdullah Hoti ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Ameriktës (SHBA).

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se zgjedhjet në SHBA dëshmuan standardet demokratike amerikane, modelit të demokracisë në gjithë botën.

“Urime të përzemërta Presidentit Trump dhe Zëvendëspresidentit JD Vance për fitoren e tyre. Mbarësi e suksese në lidershipin e tyre në Shtëpinë e Bardhë në katër vitet në vijim. Falënderime Presidentit Biden dhe Zëvendëspresidentes Harris për mbështetjen për Kosovën dhe gjithë shqiptarët gjatë katër viteve të fundit” – ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se populli i Kosovës është përherë krah SHBA-ve, duke thënë se miqësia e përhershme është një nga shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës.

“Duhet të thellojmë marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve. Vetëm në koordinim dhe mbështetje nga Shtëpia e Bardhë, Kosova lëviz sigurt drejt integrimit euroatlantik” – ka shkruar në fund Hoti.

11:03- Liderët e botës i zotohen Trumpit për ruajtjen e aleancave strategjike

Udhëheqësit botërorë nxituan të urojnë republikanin Donald Trump të mërkurën (06.11.2024), pasi shpalli fitoren ndaj zëvendësdemokrates demokrate, Kamala Harris, në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, të cilat do të përbënin një rikthim mahnitës politik katër vjet pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, raporton Reuters.

Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit

“Urime për rikthimin më të madh të historisë! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe midis Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe! Në miqësi të vërtetë”, ka shkruar shkroi Netanyahu në X.

Narendra Modi, kryeministri i Indisë

“Urimet më të përzemërta miku im…për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Ndërsa ndërtoni mbi sukseset e mandatit tuaj të mëparshëm, mezi pres të rinovojmë bashkëpunimin tonë për të forcuar më tej Partneritetin Gjithëpërfshirës Global dhe Strategjik Indi-SHBA. Së bashku, le të punojmë për mirëqenien e popullit tonë dhe promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit global”, ka shkruar Modi në X.

Emmanuel Macron, president i Francës

“Urime, President Donald Trump. Gati për të punuar së bashku ashtu siç dinim të bënim gjatë katër viteve. Me bindjet tuaja dhe me të miat. Me respekt dhe ambicie. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, ka shkruar Macron në X.

Keir Starmer, kryeministër i Britanisë

“Urime presidenti i sapozgjedhur Trump për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Mezi pres të punoj me ju në vitet në vijim. Si aleatët më të ngushtë, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes”, ka shkruar ai

Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s

“Sapo e përgëzova Donald Trumpin për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Udhëheqja e tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes fuqisë përmes NATO-s”, ka shkruar ai në X.

Giorgia Meloni, kryeministre i Italisë

Në një postim në X, Meloni ofroi “urimet e saj më të sinqerta” për Trumpin dhe tha se Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një “aleancë të palëkundur”. “Është një lidhje strategjike, të cilën jam e sigurt se tani do ta forcojmë edhe më tej”, ka shkruar ajo.

Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës

“Urime @realDonaldTrump për fitoren tuaj dhe zgjedhjen tuaj si Presidenti i 47-të i SHBA-së. Ne do të punojmë në marrëdhëniet tona strategjike dypalëshe dhe në një partneritet të fortë transatlantik”, ka shkruar Sanchez në X.

Ursula Von Der Leyen, presidente e Komisionit të BE-së

“Përgëzoj ngrohtësisht Donald J. Trumpin për zgjedhjen e tij si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mezi pres të punoj sërish me Presidentin Trump për të çuar përpara një agjendë të fortë transatlantike.

“Le të punojmë së bashku në një partneritet transatlantik që vazhdon të ofrojë për qytetarët tanë. Miliona vende pune dhe miliarda në tregti dhe investime në çdo anë të Atlantikut varen nga dinamizmi dhe stabiliteti i marrëdhënieve tona ekonomike”, ka shkruar ajo.

Anthony Albanese, kryeministër i Australisë

“Zgjedhja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara është gjithmonë një moment i rëndësishëm për botën, për rajonin tonë dhe për Australinë.

“Shtetet e Bashkuara kanë luajtur prej kohësh një rol udhëheqës në stabilitetin dhe sigurinë e Indo-Paqësorit. Australia do të përpiqet të forcojë bashkëpunimin midis dy kombeve tona në rajon”, ka deklaruar ai.

Dmitri Medvedev, ish-president rus

“Trump ka një cilësi të dobishme për ne: si një biznesmen deri në thelb, atij nuk i pëlqen vdekshmërisht të shpenzojë para për varëse të ndryshme dhe aleatë budallenj, në projekte të këqija bamirësie dhe në organizata ndërkombëtare të pangopura”, ka shkruar Medvedev, tani një zyrtar i lartë i sigurisë, në llogarinë zyrtare në Telegram.

Dick Schoof, kryeministër i Holandës

“Urime @realDonaldTrump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Shtetet e Bashkuara janë një aleat i rëndësishëm për Holandën, si në planin dypalësh ashtu edhe në kontekstet ndërkombëtare si NATO. Unë pres me padurim bashkëpunimin tonë të ngushtë për interesat e përbashkëta midis SHBA-së dhe Holandës”, ka shkruar ai në X.

Shehbaz Sharif, kryeministër i Pakistanit

“Urime Presidentit të zgjedhur Donald Trump për fitoren e tij historike për një mandat të dytë! Mezi pres të punoj ngushtë me administratën e ardhshme për të forcuar dhe zgjeruar më tej partneritetin Pakistan-SHBA”, shkroi Sharif në X.

Karl Nehammer, kancelar i Austrisë

“Urime @realDonaldTrump për fitoren e zgjedhjeve. Shtetet e Bashkuara janë një partner i rëndësishëm strategjik për Austrinë. Ne presim të zgjerojmë dhe forcojmë më tej marrëdhëniet tona transatlantike për të trajtuar me sukses sfidat globale së bashku”, shkroi ai.

Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë

“Kthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së! Urime Presidentit @realDonaldTrump

në fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për Botën!”, ka postuar Orban në X.

Petr Fiala, kryeministër i Çekisë

“Urime Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale. Qëllimi ynë i përbashkët është të sigurojmë që marrëdhëniet midis vendeve tona të mbeten në nivelin më të lartë, pavarësisht ndryshimeve në administratë, dhe që ne të vazhdojmë t’i zhvillojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Fiala në X.

Marcel Ciolac, kryeministër i Rumanisë

“Urime Presidentit @realDonaldTrump për këtë fitore historike! Rumania është e gatshme të punojë së bashku për të përmirësuar Partneritetin tonë Strategjik. Nën udhëheqjen tuaj të re ne shpresojmë për paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë! Mezi presim një bashkëpunim të frytshëm!”, shkroi ai në X.

Ulf Kristersson, kryeministër i Suedisë

“Unë e përgëzoj Donald Trumpin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku dhe të vazhdojmë marrëdhëniet e shkëlqyera SHBA-Suedi si miq dhe aleatë”, ka deklaruar ai.

Jonas Gahr Stoere, kryeministër i Norvegjisë

“Dëshiroj të përgëzoj Donald Trumpin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA. SHBA-ja është aleatja më e rëndësishme e Norvegjisë dhe ne punojmë ngushtë së bashku në shumë fusha. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me SHBA-në nën udhëheqjen e zotit Trump”, ka theksuar ai.

Mette Frederiksen, kryeministër i Danimarkës

“Urime Donald Trumpit për zgjedhjet. Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm. Ne duhet të ruajmë bashkëpunimin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës dhe të vazhdojmë të forcojmë lidhjen transatlantike që ka zgjatur ndër breza”, ka shkruar ai.

10:47- Demokratja McBride bëhet kongresistja e parë transgjinore

Demokratja Sarah McBride u bë personi i parë transgjinor i hapur i zgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, parashikoi Edison Research, duke fituar mandatin për Delawaren, raporton Reuters.

34-vjeçarja McBride, senatore shtetërore, fitoi në shtator zgjedhjet paraprake konkurruese për distriktin e gjerë të Kongresit në Delaware, i konsideruar bastion i sigurt i demokratëve.

Ajo u bë personi i parë transgjinor i hapur që shërbeu si senatore e shtetit kur u zgjodh në vitin 2020. U bë transgjinorja e parë që foli në një konventë të partive politike kombëtare amerikane në vitin 2016 dhe e para që kreu stazhin në Shtëpinë e Bardhë në 2012, në presidencën e  Barack Obamas.

Në një intervistë për Reutersin përpara zgjedhjes, McBride u përpoq të përqendrohej në çështjet që do t’i jepnin përparësi, në vend të natyrës historike të kandidaturës së saj.

“Sa herë që jeni i pari, shpesh duhet të përpiqeni të jeni versioni më i mirë që mundeni”, do të deklaronte ajo, duke pranuar se kjo sjell edhe “përgjegjësi të shtuara”.

“Por asnjëri prej tyre nuk ka rëndësi nëse nuk përmbush përgjegjësinë e të qenët anëtarja më e mirë e Kongresit që mund të jem për Delaware”.

10: 36 – Krasniqi: Lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së shkon përtej politikës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke uruar Donald Trumpin, ka thënë se lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së shkon përtej politikës.

“Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë”- ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Krasniqi ka thënë se ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, “si PDK ritheksojnë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajon.”

10:30 – Abdixhiku: Rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Donald Trumpin për rezultatet që po e çojnë drejt fitores në zgjedhjet presidenciale.

Abdixhiku ka thënë se rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës.

Ai ka thënë se populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane!”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, pa SHBA-në ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur.

“Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”- ka shkruar Abdixhiku.

10:25 – Grenell: Amerika dhe bota ka shpëtuar

Ish-i i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se me fitoren e Donald Trumpit, “Amerika dhe bota ka shpëtuar.”

“Ne e kemi mposhtur zgjimin e majtë. Paqja do të vijë së shpejti” – ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”.

Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

10:12 – Shefja e BE-së thotë se mezi pret të punojë me Trumpin

Shefja e Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, e ka uruar Donald Trumpin pas rezultateve të fundit të presidencialeve në SHBA. Trump po prin me vota, derisa ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues i zgjedhjeve.

Von der Leyen e ka uruar Trumpin “për fitore si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara”.

Der Leyen ka thënë se mezi pret të punojë me të për të avancuar një agjendë të fuqishme transatlantike.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë sesa aleate. Ne jemi të lidhur nga partneriteti i vërtetë mes njerëzve tanë, duke lidhur 800 milionë qytetarë. Këto lidhje janë të thella, kanë rrënjë në historinë e përbashkët, në përkushtimin për liri dhe demokraci, dhe synimet e përbashkëta për siguri dhe mundësi për të gjithë”- ka thënë von der Leyen përmes një komunikate të BE-së.

Presidentja e BE-së ka thënë se miliona punë dhe miliarda në tregti dhe investime në dy anët e Atlantikut varen nga dinamika dhe stabiliteti i marrëdhënieve tona ekonomike.

Trumpi i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

10:08 – Kryeministri Rama për Trumpin: Do të kem privilegjin të punoj me ju

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar Donald Trumpin pas rezultateve të fundit të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

“Ka qenë nder të punoj me ju sa keni qenë president për t’i forcuar lidhjet në mes të të dyja shteteve. Do të kem privilegjin të punoj me ju si presidenti i 47-të, për të rritur partneritetin për paqe dhe përparim të mëtejmë”- ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

10:05- Zelensky ia uron Trumpit “fitoren mbresëlënëse”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ia ka uruar Donald Trumpit “fitoren mbresëlënëse” pak pasi kandidati republikan shpalli fitoren.

Në një postim në platformën X, lideri ukrainas ka kujtuar takimin e fundit që e ka pasur me Trumpin në shtator, kur ia kishte shpalosur Planin e Fitores së Ukrainës në luftë kundër Rusisë. Trumpi ka qenë kritik ndaj ndaj mbështetjes amerikane për Ukrainën.

“E çmoj zotimin e presidentit Trump për ‘paqen nëpërmjet qasjes së fuqishme’ në çështjet botërore. Ky është pikërisht parimi që praktikisht mund të çojë Ukrainën më afër paqes”, ka shkruar Zelensky, duke shprehur shpresë se bashkë do të mund të marrin veprime të përbashkëta.

Zelensky ka shkruar gjithashtu se pret një epokë të fuqishme Shteteve të Bashkuara të nën lidershipin vendimtar të Trumpit. “Ne jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunim të përbashkët dhe të dobishëm ekonomik dhe politik që do të jetë në dobi të dy vendeve. Ukraina, si një prej fuqive më të forta ushtarake të Europës, është e përkushtuar për sigurimin e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Europë dhe komunitetin transatlantik me mbështetjen e aleatëve”, ka thënë Zelensky, duke paralajmëruar se do ta përgëzojë edhe personalisht Trumpin, si dhe do të bashkëpunojë për fuqizimin e partneritetit ushtarak me SHBA-në.

09:57 – Netanyahu uron Trumpin, e quan ‘rikthim historik’

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu e ka uruar Donald Trumpin për “fitoren e madhe”.

“Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe!”- ka shkruar Netanyahu në X.

Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump – Foto: Benjamin Netanyahu/Facebook

09:54 – Shefi i NATO-s: Udhëheqja e Trumpit do jetë çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën

Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka përgëzuar kadidatin për president të SHBA-së Donald Trump, për “fitoren si president i SHBA-së”.

“Udhëheqja e tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes fuqisë përmes NATO-s”- ka shkruar Rutte në ‘X’.

Trump, i është afruar fitores në zgjedhjet presidenciale, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president.

09:49- “Mori fund gjithçka” – zhgënjim në mesin e demokratëve

Demokratët janë në ankth. Përsëri.

Derisa dita e zgjedhjeve u mbyll dhe rezultatet pothuajse kanë përcaktuar se Donald Trumpi do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, demokratët kanë nisur të përballen me realitetin e hidhur të përsëritjes së fatit të zgjedhjeve të vitit 2016, raporton “Politico”.

Agjencia e lajmeve, AP tashmë ka shpallur rezultatet e projeksioneve në dy prej shtatë shteteve të luhatura – Karolina Verioa dhe Xhorhia – ku fitues është Donald Trumpi kundrejt demokrates Kamala Harris.

Harrisi ka pasur telashe që të shënojë suksesin e presidencialeve të Joe Bidenit në shumë pjesë të vendit. Në shtete ku demokratët ia kishin dalë t’i bënin për vete votuesit më 2020, Trumpi ua ka ndërruar mendjen shumicës së votuesve.

“Trumpi do ta fitojë çdo shtet të luhatur, me përjashtim të mundshëm të Miçiganit”, ka thënë një anketues i Partisë Demokratike, duke folur në kushte anonimiteti. “Mendoj se mori fund”.

Derisa një pjesë e mbështetësve të Harrisit ende shpresonin se numërimi do të anonte kah ta, të tjerët i kanë çuar duart se demokratët mund të shënojnë fitore.

09:44- Presidentja Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rezultatet e zgjedhjeve që e çojnë atë drejt fitores përfundimtare.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona të përzemërta Donald Trump dhe James David Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara”- ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘X’.

Osmani theksoi se SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike.

“Zoti e bekoftë Amerikën, liderin e botës së lirë”- ka shkruar ajo.

09:37- New York Times: Trumpi feston fitoren pa u shpallur rezultatet finale

Gazeta prestigjioze, “The New York Times”, vlerëson se përmbajtja e fjalimit të Donald Trumpit para mbështetësve të tij në Florida të mërkurën e 6 nëntorit është “festë e tij para shpalljes së rezultateve përfundimtare”, megjithëse i duhen vetëm edhe tri vota të Kolegjit Elektoral për ta shpallur fitoren zyrtare.

“Kjo do të kujtohet përgjithmonë si dita kur populli amerikan ktheu kontrollin e vendit”, ka thënë para përkrahësve në selinë e fushatës republikane në Palm Beach në Florida.

Dy orë më parë, turma në qendrën partiake të kandidates demokrate, Kamala Harris, kishte disponim të zymtë kur zyrtarët e lartë të fushatës iu than ëtë pranishmëve në selinë partiake të zgjedhjeve në Uashington DC se Harris nuk do t’u adresohej të pranishmëve.

09:03- Trumpi u adresohet mbështetësve: “Do ta shërojmë vendin”

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në selinë e fushatës në Florida të mërkurën, ka thënë se 5 nëntorin duhet ta konsiderojnë “si një prej ditëve më të rëndësishme të jetës tuaj”, raporton BBC.

“Amerika na ka dhënë mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, ka deklaruar ai, duke iu referuar kthimit të shumicës së republikanëve në Senat.

“Ne do ndihmojnë vendin tonë që të shërohet”, ka shtuar ai.

Trumpi do t’i fitojë zgjedhjet në shtetet e fushëbetejës, Pensilvania, Xhorxhia dhe Karolina Veriore, kanë treguar projeksionet e fundit të televizionit amerikan, CNN, duke ngushtuar rrugën për fitore të demokrates Kamala Harris. Trumpi dhe Harrisit iu duhen secili 270 vota të Kolegjit Elektoral për ta fituar presidencën.

Numëri i votave po vazhdon në shtetet kritike, përfshirë ato të luhaturat, Arizonë, Miçigan, Ëisconsin dhe Nevada. Njëherësh republikanët kanë kthyer kontrollin e Senatit, një ndërrim pushteti në Uashington.

Trumpi është zotuar se do të ashpërsojë kontrollet kufitare, duke shtuar se Partia Republikane ka shkruar historinë për një arsye. BBC-ja vlerëson se ky në të vërtetë duket si një fjalim i fitores.

Trumpi e ka falënderuar Melanian, duke e quajtur edhe Zonja e Parë. “Ajo ka bërë punë të mrekullueshme”, ka theksuar ai, duke shtuar se Melania “punon fort për t’i ndihmuar njerëzit”.

Ka falënderuar edhe “fëmijët e mrekullueshëm”, duke i përmendur të gjithë me emrat, teksa ata po qëndronin në skenë me të.

Pas disa brohoritjeve, Trumpi ka nisur të flasë për dikë që ka qenë pjesë e rëndësishme e fushatës së tij – pronari i platformës X dhe personi më i pasur në botë, Elon Musk. E ka përshkruar atë njeri “të mrekullueshëm”.

09:00– Trumpi fiton dy shtetet kritike, Harrisit i ngushtohet rruga për fitore

Republikani Donald Trump e ka mposhtur demokraten Kamala Harris në dy shtetet e fushëbetejës, Karolina Veriore dhe Giorgia në zgjedhjet presidenciale amerikane të së martës, ka projektuar Edison Research, duke e afruar edhe më shumë te kthimi në Shtëpinë e Bardhë edhe për katër vjet të tjerë, ka raportuar Reuters më 06.11.2024.

Rezultati përfundimtar mbetet i paqartë në pesë shtetet tjera të luhatura ku pritet të përcaktohet emri i fituesit. Por Trumpi po shfaq fuqinë e votës në hise të mëdha të vendit. Ai ia ka dalë të sigurojë votat e 246 elektorëve kundrejt 182 sa i ka fituar Harrisi. Një kandidat duhet të ketë së paku 270 vota të delegatëve të shteteve në Kolegjin Zgjedhor për ta fituar presidencën.

Fitoret e Trumpit në Karolinën Veriore dhe Georgia ia kan ëngushtuar rrethin drejt fitores Harrisit në Miçigan, Pansilvani dhe Wisconsin, megjithëse ajo është në rrugë të mbarë për t’i fituar të tria. Ish-presidenti ka marrë udhë drejt një qendre konvente afër shtëpisë së tij në Palm Beach, për t’iu adresuar mbështetësve, ka bërë të ditur për Reuters një këshilltar i tij fushate.

Republikanët e kanë fituar shumicën në Senatin amerikan pasi ua kanë fituar mandateve demokratëve në Virxhinian Perëndimore dhe Ohio. Asnjëra palë nuk duket se ka epërsi për ta marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ku aktualisht kontrollin e kanë republikanët me epërsi të ngushtë.

Trumpi iu përvol zgjedhjeve të 5 nëntorit me mundësi 50 me 50 për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, një përmbytje e madhe krahasuar me situatën e 6 janarit 2021, kur shumë mbështetës të tij militantë sulmuan Kapitolin dhe u mendua se kështu do të merrte fund karriera politike e ish-presidentit. Atë ditë, turma e dhunshme mësyu Kongresin në përpjekje për të përmbytur rezultatin e zgjedhjeve të 2020-s.

Trumpi ka fituar më shumë përkrahje nga hisspanikët, tradicionalisht votues demokratë, dhe në mesin e familjeve me të ardhura më të ulëta, të ciat kanë ndier dhimbjen e ngritjes së çmimeve të jetesës prej zgjedhjeve të fundit presidenciale të 2020-s, kan ëtreguar rezultatet e sondazhit të Edisonit.

06:57- Trump fiton në Karolinë të Veriut

Kandidati republikan për president, Donald Trump, fitoi në Karolinë të Veriut, raportojnë AP, CNN dhe NBC.

Ky është shteti i parë i papërcaktuar, ku bëhet i ditur rezultati.

Ai është fituar edhe në vitin 2020 nga kandidati republikan, por këtë vit është parë si mundësi për t’u fituar nga Harris.

Gara është tejet e ngushtë edhe në gjashtë shtete të tjera: Nevadë, Arizonë, Xhorxhia, Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani, transemeton REL.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com