Foto arkiv, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Francës, Emmanuel Macron

Presidenca serbe: Macron i tha Vuçiqit se Serbia është e para në radhë për anëtarësim në BE

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenca serbe ka njoftuar se gjatë kësaj bisede presidenti francez e ka mbështetur integrimin evropian të Serbisë dhe mënyrën se si Serbia votoi në OKB rreth luftës në Ukrainë.

“Presidenti Macron i dha gjithashtu mbështetje personale presidentit Vuçiç për mënyrën se si ai po e çon Serbinë në të ardhmen. Ai pa mëdyshje i tha presidentit Vuçiq se, pavarësisht nga ndryshimet gjeopolitike në Evropë dhe në botë, Serbia mbetet një prioritet kyç dhe vendi i parë që hyn në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Presidencës serbe.

Mirëpo, çështja se “Serbia është vendi i parë që hyn në Bashkimin Evropian” nuk është përmendur fare në kumtesën e lëshuar nga Presidenca franceze.

Sipas komunikatës, presidenti Macron ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes Francës dhe Serbisë, dhe qartësinë e qëndrimit të saj në instancat ndërkombëtare rreth luftës në Ukrainë dhe rreth nevojës për respektim të sovranitetit të shteteve.

Tutje thuhet se presidenti Macron ka përkujtuar miqësinë e Francës dhe mbështetjen e tij personale për Serbinë.

“Presidenti i Republikës vlerësoi se lufta në Ukrainë kërkon që Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet afër tij, veçanërisht vendet të cilat, si Serbia, kanë perspektivë evropiane, të shqyrtojnë së bashku rrugët dhe mënyrat për të forcuar edhe më tej lidhjet e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët për të gjithë evropianët. Lufta në Ukrainë duhet të jetë një rast për përafrimin evropian”, thekson Presidenca franceze.