Presidenca e Këshillit të BE-së kalon te Gjermania, këto janë prioritetet gjermane

Përmes një paraqitje online nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë u shënua kalimi nga Kroacia te Gjermania i Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në këtë ngjarje, me pjesëmarrjen e Natalyia Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Danijela Barisiç, ambasadore e Kroacisë në Kosovë, dhe Kristian Held, ambasador i Gjermanisë në Kosovë u treguan  arritjet kryesore të presidencës së Kroacisë të BE-së dhe prioritetet e asaj gjermane.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova falëndëroi Kroacinë për punën gjashtë mujore, sidomos në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“ Dua të falënderoj ambasadoren Barisiç për punën e mirë të presidencës kroate gjatë një periudhe të jashtëzakonshme gjashtë mujore”, tha ajo në video-mesazh.

Apostolova falenderoi ambasadorin e Gjermanisë Christian Heldt për partneritetin dhe mbështetjen.

“Jam e sigurt se vëmendja tash do të jetë në pandeminë COVID-19 dhe pasojat e saj. BE reagoi shpejt për të sjell një qëndrueshmëri emergjente me 5 milionë euro për Kosovën për ta luftuar pandeminë”, tha ajo.

Kurse,  Danijela Barisiç, ambasadore e Kroacisë në Kosovë tha se motoja e presidencës kroate ka qenë “Një Evropë e fortë në një botë të sfidave” dhe se sipas saj, kjo është dëshmuar të jetë e vërtetë.

“Kjo ka treguar se të bashkuar dhe në solidaritet mund ta menaxhojmë situata si ajo me pandeminë COVID-19”, tha ajo.

Ambasadorja shtoi se BE-ja e ka përfshirë Ballkanin Perëndimor në planet dhe projektet e tyre dhe investime.

Ndërsa, Ambassador i Gjermnisë në Kosovë, Christian Heldt falënderoi Kroacinë për punën gjatë presidencës së BE-së si dhe Apostolovën për mbështetjen për Kosovën.

Sa i përket marrjes së presidencës së BE-së nga ana e Gjermanisë, Heldt tha se nuk do të mund të bëjnë gjithçka, por se do ta kenë prioritet situatën me pandeminë, me moton “Bashkë për rikuperimin e Evropës”.

“Efektet kanë qenë të tmerrshme për BE-në në përgjithësi. Qëndrojmë pas asaj që të sjellim shoqëritë dhe ekonomitë prap në këmbë. Ne duhet të gjejmë përgjigje për gjeneratën e ardhshme për të siguruar një të ardhme të mbarë”, theksoi ambasadori.

Heldt shtoi se do të ballafaqohen me sfida edhe për shkak të pasojave nga coronavirusi, me çështjet globale si ndryshimi i klimës, konfliktet dhe siguria.

Ambasadori gjerman mes tjerash kritikoi qasjen e disa zërave në Kosovë ndaj BE-së. Ai përmendi edhe shuarjen e ministrisë së Integrimit Evropian nga ana Qeverisë Hoti.

“Këta zëra negativë duket se mendojnë se ndërsa ne mbetemi të sjellshëm dhe nuk dëshirojmë të biem në këto nivele diskutimesh kjo është naive. Epo, kjo është gabim. Ne po i marrim parasysh të gjitha këto. Me shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, ne gjithashtu po shohim nga afër nëse qeveria e re do të vendosë prioritetet e saj në lidhje me agjendën evropiane në të ardhmen”, tha ai.

Ambasadori shtoi se do të kenë fokus në tri tema të mëdha në Kosovë.

“Përveç temave të përgjithshme të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, sfida pandemike, dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave”, tha ai.