Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidenca reagon pas konstatimit të Aviacionit Civil maqedonas, insiston në qëndrimet e saj

Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj konstatimit të inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC) të Maqedonisë së Veriut se shërbimet e aeroportit kanë vepruar në mënyrë profesionale në rastin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky institucion vazhdon të insistojë se në asnjë shtet të botës nuk merret për skanim telefoni i kreut të shtetit dhe se Maqedonia e Veriut ka shkelur rregullat ndërkombëtare me këtë veprim.

“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta  personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal” – thuhet në reagim.

AAC maqedonase ka rekomanduar se nëse dikush dyshon në besueshmërinë e standardeve ndërkombëtare, le të aplikojnë të njëjtën praktikë në një nga aeroportet ndërkombëtare europiane, për t’u siguruar për zbatimin e tyre.

Lidhur me këtë, Presidenca thotë se ka përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera dhe nuk ka nevojë të provojnë sepse “askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”.

Presidenca ka përsëritur se Presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin.

“Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner” – thuhet më tej.

Skanimi i telefonit, sipas Presidencës paraqet potencial për cenim të sigurisë kombëtare.

Në fund të reagimit thuhet se Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit dhe ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se “pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”.

AAC e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar sot (09.08.2024) se gjatë inspektimit fillestar është konstatuar se shërbimet e aeroportit për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedura edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin.

Madje në njoftim thuhet se të njëjtët pasagjerë kanë refuzuar të kryejnë kontrollet edhe në vitin 2022 dhe 2023.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie. Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni (kompania që menaxhon aeroportin) do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre” – ka thënë AAC, sipas Alsat M.

Në incidenti në Aeroportin e Shkupit që u raportua më 01.08.2024, pretendohet se sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht Presidenten Osmani pasi që ajo nuk ka pranuar ta dorëzojë telefonin e saj, sipas Presidencës duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Ky rast i pazakontë u cilësua si provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident nga Presidenca.

Autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë larguar nga puna policin S. S., shef i Departamentit të Sigurisë Personale pranë kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me rastin e incidentit në Aeroportin e Shkupit, ku ishte përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministrat e dy shteteve më 05.08.2024, mbajtën një takim që ishte caktuar kohë më parë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të ketë një raport zyrtar nga autoritetet maqedonase në lidhje me këtë rast, ndërkaq mohoi që institucionet e Kosovës e kanë cilësuar rastin si provokim.

Kryeministri i maqedonas Hristijan Mickoski, shprehi keqardhej për incidentin dhe tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.

Mënyrën se si u trajtua kjo temë në këtë konferencë, Presidenca e konsideroi se është për keqardhje.

Një ditë pas incidentit, Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar notë proteste autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për incidentin.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka dhënë version ndryshe duke thënë që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”- shkruhet në reagimin e Ministrisë.

Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.

Kompania TAV, thonë se kanë respektuar rregullat, gjegjësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacioni t’i nënshtrohet kontrollit standard në aeroport.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, deklaroi se ekipi i tij ka ndërhyrë vetëm për të qetësuar situatën, jo për të bërë ndonjë incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi ashtu siç duhej.

Pavarësisht këtyre, pas takimit që Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, gjatë pati me Ministren e Jashtme Gërvalla një ditë më vonë në Kosovë, ai tha se janë pajtuar se raportet ndërshtetërore janë të shkëlqyera.

Zëvendëskryeministri tjetër i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka shprehur keqardhjen e tij për sic tha ai “keqkuptimet qe kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Presidentes Osmani” dhe ka shtuar se dy shtetet kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv, konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë në të gjitha fushat.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), subjekt politik në Maqedoni të Veriut e ka cilësuar këtë rast “incident skandaloz diplomatik”.