Presidenca reagon ndaj lajmeve se presidentja Osmani u përplas me gazetarët

Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një komunikate ka reaguar lidhur me shkrimet e mediave se ajo u përplas me gazetarët gjatë ceremonisë ku u ndanë dekorata për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn.

Presidenca bashkangjiti një video me përshkrimin se presidentja u ka kërkuar pjestarëve të sigurisë t’i lejojnë mediat “përkundër faktit që nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni”.

Kurse, lidhur me pyetjet e shtruara, në komunikatë thuhet se presidentja ka kërkuar të bëhen tjetërherë.

“Në fakt, siç shihet dhe dëgjohet nga incizimi, Presidentja Osmani ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t`i lënë mediat prezente, përkundër faktit se nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni. Ngaqë ngjarja kishte karakter ceremonial, Presidentja ka kërkuar që pyetjet për çështje të tjera të shtrohen tjetër herë. Prandaj nuk ka pasur asnjë lloj përplasje siç është prezantuar në media”, thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetares së KALLXO.com, Arta Sopi, rreth deklarimeve të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu dhe gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve, duke i quajtur “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, pas publikimeve në media të shpenzimeve të Vjosa Osmanit për udhëtime në kohën kur ishte deputete.

Në ngjarjen në Presidencën e Kosovës, pas ndarjes së medaljeve presidenciale për ish-aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, presidentja u pyet nga KALLXO.com për deklarimet e bashkëshortit të saj dhe reagimet që janë marrë nga institucione të ndryshme për gjuhën e përdorur nga Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.