Presidenca planifikon të blejë vetura për delegacione protokollare gjatë vitit 2025

Presidenca e Kosovës ka planifikuar që vitin e ardhshëm të blejë vetura për delegacionet protokollare.

Për blerjen e tyre janë paraparë të shpenzohen 120 mijë euro.

KALLXO.com ka kërkuar nga Presidenca informacione lidhur me numrin e veturave që parashihet të blihen me këto mjete, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Investime të reja në këtë inistitucion për vitin 2025 janë paraparë edhe në pajisje të kodifikuara të sigurisë dhe në kamera. Për to janë ndarë 10 mijë euro.

Për projektet tjera parashihet që mjetet të barten nga buxheti që ishte planifikuar për sivjet.

Kështu, mjetet nga viti 2024 janë bartur për furnizim me mobileje, pajisje të IT-së, kompjuter, softuer për editimin e videove dhe audiove si dhe program për lehtësimin e përkthimeve.

Në total, buxheti për Presidencën e Kosovës është paraparë të jetë 4,147,100 euro.

Bazuar në projektbuxhetin e miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës më 11.11.2024, numri i të punësuarve në Presidencë për vitin 2025 është 83 persona.

Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është miratuar në parim me 59 vota për dhe me dy abstenime.

Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK ishin të pranishëm gjatë diskutimeve por nuk votuan.

Votimi në lexim të dytë është paralajmëruar se do të bëhet më 21.11.2024.

Buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.