Martin Berishaj, Foto:Facebook

Presidenca i kërkon raport ambasadorit Berishaj për raportimin e medias sllovene

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Po ashtu është kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.

“Njoftojmë qytetarët se presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se sapo të sqarohet situata, presidentja bashkërisht me MPJ-në do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e ambasadorit.

“Ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, sqarohet në njoftim.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se presidentja nuk është ballafaquar me një pyetje derisa me presidentin e Letonisë mbanin konferencë për media, por me një konstatim nga gazetari.

“Presidentja sot në konferencë nuk është ballafaquar me pyetje, por me një konstatim të prerë nga ana e gazetarit se ‘Ambasadori i Kosovës është përfshirë në një skandal dje”, përderisa Presidentja e Kosovës dhe Presidenti i Letonisë mbanin konferencë për media lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe sfidat në kontinentin evropian”, njofton Presidenca.

“Në këtë drejtim, sot Presidentja në konferencë për shtyp ka komentuar se përderisa organet e drejtësisë nuk thonë të kundërtën, vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci tashmë ka paralajmëruar dërgimin e rastit tek institucionet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.

Dje, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.