
Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Presidenca mohon pretendimet se Osmani ka “negociuar lirimin e anëtarëve të BIA-s në Banjskë”
Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka mohuar pretendimet e ekspertit të sigurisë Bedri Elezi, se presidentja dyshohet “se ka negociuar largimin e anëtarëve të BIA-s në rastin e Banjskës”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kupina ka thënë se kjo është një “gënjeshtër e pastër e Elezit”, për të cilin presidentja do të përgatisë padi.
“Ky deklarim i pavërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare” – ka shkruar Kupina.
Ai u ka bërë thirrje policisë dhe prokurorisë që të ndërmarrin masa, sipas tij, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, që sipas Kupinës “dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare”.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e kishte marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator.
Në orët e para të asaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.
Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.
Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.
Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.
Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare.