Presidenca: Mënyra se si u trajtua incidenti në Aeroportin e Shkupit gjatë konferencës për media të Kurtit dhe Mickoskit, është për keqardhje

Presidenca e Kosovës ka reaguar përsëri në lidhje me incidentin që ndodhi në Aeroportin e Shkupit, duke e ripërsëritur që ajo që ndodhi më 01.08.2024 ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht.

Presidenca thotë se pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme (05.08.2024) për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”- shkruan në reagimin e gjatë të Presidencës më06.08.2024, në lidhje me konferencën që u mbajt më 05.08.2024 nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe homologu i tij, Albin Kurti.

Tutje në reagimin e Presidencës shkruan se përderisa e vlerësojnë shprehjen e keqardhjes nga Micikoski por sipas tyre,  për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Kosovën, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. 

Sipas Presidencës, raportet për incidentin në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. 

Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës, shkruan Presidenca.

Sipas Presidencës, për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare. 

Duke renditur shtetet në të cilat ka udhëtuar presidentja gjatë mandatit të saj, Presidenca ka thënë se Osmani asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.

“Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit”- shkruan në reagim.

Lista e shteteve të cilat janë renditur përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. 

Ndër të tjera në këtë reagim shkruan se, pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’. Pasiqë kjo e fundit, sipas Presidencës, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm.

“Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet)”- shkruan në reagim.

Për listën e shteteve, Presidenca thotë se një gjë e tillë është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. 

“Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë”- shkruan tutje, duke shtuar se Presidentja kërkon respekt për shtetin që përfaqëson.

Ndër të tjera, Presidenca e Kosovës thotë se e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.

Autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë larguar nga puna policin S.S., shef i Departamentit të Sigurisë Personale pranë kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me rastin e incidentit në Aeroportin e Shkupit, ku ishte përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës për media më 05.08.2024, gjatë takimit në Maqedoni të Veriut, ka thënë se do të ketë një raport zyrtar nga autoritetet maqedonase në lidhje me incidentin ndaj presidentes Vjosa Osmani pak ditë më parë në Aeroportin e Shkupit.

I pyetur në lidhje me këtë çështje nga gazetarët gjatë konferencës për media që po mbante bashkë me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, më 05.08.2024, Kurti deklaroi se duhet të synohet e vërteta e kësaj çështjeje dhe kurrsesi tensionimi.

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes, aq më tepër që ka qenë me familje, me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se çka ka ndodhur dhe të mos na përsëriten” – tha Kurti më 05.08.2024.

Mickoski u pyet se a do të kërkojë përgjegjësi nga kryeparlamentari Afrim Gashi për dërgimin e sigurimit të tij në Aeroportin e Shkupit. Kryeministri maqedonas tha se do të hetohet edhe kjo çështje.

“I denoncuari S.S. është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga ana e Kryetarit të Kuvendit me qëllim të tejkalimit të mosmarrëveshjes e cila ka ndodhur me Presidenten e Republikës së Kosovës në lidhje me procedurat e sigurimit për kontrollimin e bagazhit dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit në linjë komerciale”- shkruan ne reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse specifikisht në Konventën e Vjenës të vitit 1961 nuk përmendet telefoni, por për çantën diplomatike shkruan se ka imunitet diplomatik nga kontrolli për sa kohë është e shënuar nga jashtë për të treguar statusin e saj, sipas nenit 27.

Sipas këtij neni, çanta diplomatike mund të përmbajë vetëm dokumente diplomatike ose artikuj të destinuar për përdorim zyrtar.

Krejt çka dihet për incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit