
Presidenca: Kasanof tha se asnjë nga veprimet e presidentit Trump tani për tani nuk afektojnë negativisht Kosovën
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga veprimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk e afektojnë negativisht Kosovën.
Kështu kanë deklaruar për KALLXO.com nga Presidenca e Kosovës.
Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, ka thënë se në takimin që shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka pasur me Kasanof në Uashington ka marrë një konfirmim të tillë nga vetë ai.
“Shefja e stafit të Presidentes Osmani, Learta Hollaj është takuar dje në Washington D.C. me Alexander Kasanof, zëvendësndihmës sekretar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor nga i cili ka marrë konfirmimin se asnjë nga vendimet e deritashme të Presidentit Trump, tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”- ka thënë Kupina për KALLXO.com të mërkurën më 22.01.2025.
Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, pasi mori mandatin, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezulloi përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Dje, më 21.01.2025, shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për politikë të jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Alexander Kasanof.
Presidenca njofton se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces.
“Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 22.01.2025.
Tutje, nga Presidenca kanë njoftuar se Kasanof, gjatë takimit, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa nga Presidenca thuhet se është ritheksuar nevoja që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke.