VJOSA OSMANI

Presidenca i përgjigjet AGK-së pas reagimit ndaj qëndrimit të presidentes rreth raportimeve lidhur me vrasjen në Ferizaj

Pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e cilësoi si një “precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen eksplicite të presidentes Vjosa Osmani për hetime ndaj medieve” ka reaguar Presidenca e Kosovës.

Në reagim, Presidenca thotë se AGK përpara se t’u tregojë rrugën të cilën duhet ndjekur për ato që i quan “pakënaqësi”, duhet t’u tregojë nëse mënyra e raportimit siç bënë disa portale ndaj presidentes është në përputhje me standardin profesional.

Këtë e thonë pasi AGK e ftoi presidenten Osmani që për pakënaqësitë në lidhje me raportimin e mediave ndaj saj t’i drejtohet me ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

“Siç konfirmon edhe vetë AGK-ja, “është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes”. Në rastin konkret, reagimi i  Presidentes vjen pikërisht si rezultati i cenimit nga e drejta për informim të dejtë, të saktë dhe me fakte të konfirmuara. Kjo ngase, në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të standardit profesional, duke e implikuar Presidenten qëllimshëm në një situatë, e cila në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me të” – thekson Presidenca në reagim.

Presidenca e Kosovës vlerëson se do të ishte tejet korrekte që AGK në reagimin e saj së paku në një pasues të apelonte për respektim të standardeve profesionale gjatë raportimit, jo vetëm në këtë rast. 

“Kjo çfarë ndodhi sot nuk paraqet raportim, por fushatë me qëllim denigrimi të figurës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, e cila, siç po dëshmohet, është duke nxitur dhunë e urrejtje. Ky “raportim”, nuk është as etik e as profesional” – ka theksuar Presidenca.

Më tej, Presidenca e mbështet presidenten duke theksuar se shefja e shtetit në reagimin e saj publik ka bërë thirrje për hetim të plotë të rrethanave që thuhet se kanë shpier deri te vrasja që ndodhi në Ferizaj mbrëmjen e datës 16.08.2024 dhe se në asnjë moment ajo nuk i jep epilog rastit, por kërkon hetim të plotë dhe veprim me prioritet të organeve të drejtësisë. 

Presidenca thekson se presidentja kurrë nuk ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Presidentja kërkon poashtu që të hetohen motivet e ulëta që shpien tek implikimi i saj, duke e akuzuar madje edhe për ndikim në sistemin e drejtësisë së Serbisë, e rrjedhimisht duke e akuzuar për parandalim të drejtësisë për rrethana që ajo kurrë nuk ka pasur njohuri, e aq më pak ndonjë lidhje me to. Secili gazetar dhe e gjithë AGK-ja e dijnë shumë mirë se Presidentja kurrë nuk ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, e lëre më atë të Serbisë” – ka shtuar Presidenca.

Gjithashtu, Presidenca thotë se presidentja Vjosa Osmani në reagimin e saj nuk i ka akuzuar mediat se punojnë për Serbinë.

“Dhe në fund, Presidentja askund nuk i ka akuzuar mediat se punojnë për Serbinë, por ka thënë se akuza të ngjashme të fabrikuara kanë publikuar edhe mediat e Serbisë. Kjo gjë faktohet lehtë, sepse të gjitha janë publike” – ka thënë Presidenca.

Si përfundim, Presidenca thotë se i takon AGK-së të ndihmojë në mbrojtjen e standardit profesional të raportimit, sepse vetëm në këtë mënyrë ka kuptim fjala e lirë dhe e drejta për raportim, dhe se gazetaria që nxit urrejtje e prodhon shpifje është në dëm e jo në dobi të gazetarisë.

S. Sadriu është personi që u vra mbrëmë, më 16.08.2024, në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt.

Viktima pretendohet se është xhaxhai i burrit të presidentes, Prindon Sadriut.

Autori i dyshuar i këtij akti është F. Ramadani, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

E presidentja Vjosa Osmani ka reaguar sot, më 17.08.2024, ndaj pretendimeve se ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, kanë qenë në dijeni të një rasti që mund të ketë qenë motivi i vrasjes së mbrëmshme.

Presidentja tha se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kan pasur asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme.

Vjosa Osmani tha se i ka njoftuar institucionet e sigurisë dhe është në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore ndaj asaj që ajo e quajti “propagandë“.

“Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera” – ka shkruar presidentja në profilin e saj në Facebook.

Sipas presidentes, ndërlidhja e emrit të saj dhe të bashkëshortit të saj me rastin e të premtes në mbrëmje kanë për qëllim rrezikimin e jetës së saj dhe të familjes.

“Kjo lidhje e rrejshme  dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi” – thekson presidentja.

Reagimin e plotë të presidentes Osmani mund ta lexoni në këtë LINK.