Foto: Blerim Vela, twitter

Presidenca e Kosovës reagon ndaj furnizimit të Serbisë me armatim të sofistikuar nga Kina

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se Serbia po furnizohet me armatim të sofistikuar të blerë nga Kina.

Shefi i stafit të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se sot është dita e dytë aeroplanë ushtarakë kinezë po dërgojnë armatim në Serbi.

Sipas Velës, aeroplanët kinezë kanë fluturuar mbi Bosfor dhe synim kanë bazën ajrore në Batajnicë.

Për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se një dërgesë e tillë përbën kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor.

“Dërgesa e fundit i armëve nga Kina në Serbi, më parë edhe nga Rusia, përbën një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën. Jemi në një epokë kur shtetet ndahen në demokraci kundër autokracive. Kina dhe Serbia kanë zgjedhur këtë të fundit për të qenë bashkë.”, ka shkruar Hoxhaj.

Për blerjen e lajmeve të Kinës nga Serbia ka raportuar sot agjencia e lajmeve AP.

Sipas AP, Serbia pranoi një sistem të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion të fshehtë këtë fundjavë, mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Mediat dhe ekspertët ushtarakë thanë të dielën se gjashtë avionë transportues të Forcave Ajrore Kineze Y-20 u ulën në aeroportin civil të Beogradit herët të shtunën, duke raportuar se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së AP-së për koment.