Feride Rushiti. Foto: KALLXO.com.

Presidenca e Kosovës mbështet nominimin e Feride Rushitit dhe QKRMT-së për çmimin Nobel për Paqe

Presidenca e Republikës së Kosovës ka uruar dhe mbështetur nominimin e Feride Rushitit dhe ekipit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) për çmimin Nobel për Paqe.

Nga Presidenca thonë se QKRMT përveç kontributin në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka luajtur rol kyç edhe në ndërtimin e politikat për përmirësimin dhe mirëqenien e statusit të kësaj kategorie.

“Presidenca e Republikës së Kosovës e uron dhe mbështetë nominimin e QKRMT dhe znj. Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe dhe e përgëzon atë dhe organizatën QKRMT, të cilën ajo e udhëheq prej disa vitesh. Organizata QKRMT, është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e po kështu në avancimin e kësaj agjende në Kosovë” – thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës.

Në këtë komunikatë është falënderuar edhe deputeti suedez Magnus Jacobsson i cili ka propozuar Rushitin në Komitetin Nominues për çmimin Nobel për Paqe.

Më 16.01.2025,  Rushti njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez,  Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti deklaroi se nominimi për çmimin Nobel për Paqe për të dhe për organizatën që e drejton është një vlerësim për Kosovën dhe kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Mbi të gjitha është një vlerësim për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kauzë kjo e cila që nga viti 1998 kur kam filluar të punojë si mjeke e re me kosovarët që në atë kohë ishin të zhvendosur, i bën të ndjehen mirë, i bën të vlerësuar, dhe shpresojmë ky nominim realisht e nxjerr Kosovën, në një situatë ndërkombëtare, ku zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale ndihet edhe ndërkombëtarit”- tha Rushiti më 17.01.2025.

Çmimi Nobel për Paqe zakonisht bëhet i ditur në muajin tetor të çdo viti.

Nominimi për çmimin Nobel për Paqe, Rushiti: Vlerësim për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës