Presidenca e Kosovës e riparon veturën që i shpëtoi jetën presidentit Rugova nga eksplozivi

Para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova. 20 vjet më vonë, vetura e presidentit historik të Kosovës u pa përsëri në rrugë më 21.01.2025, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

Osmani me këtë veturë udhëtoi për homazhe te varri i presidentit Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

Riparimi i veturës, që është prodhim amerikan, Zyrës së Presidencës i ka kushtuar 16 mijë e 700 euro. Përveç në pjesët motorike, sikurse servisimi i motorit është riparuar edhe pjesa e jashtme e veturës dhe janë ndërruar xhamat që ishin të thyer.

Po ashtu është ndërhyrë edhe në pjesën e brendshme të veturës, ku është bërë riparimi i enterierit dhe është ndërhyrë edhe në mekanizmin e ulëseve.

Pikërisht falë kësaj veture të fuqishme e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, ish-presidenti Rugova i shpëtoi një atentati.

Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.

Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim. Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.

Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

Vetura e ish-presidentit Rugova e cila u përdor të martën për homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, do qëndrojë e ekspozuar në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, deri më 23.01.2025.

Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.