Presidenca demanton raportimet se Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar Vjosa Osmanin për aksionin në veri

Në media më herët qarkulloi një lajm se gjatë një bisedë mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, këta të fundit kanë shprehur pakënaqësi me mënyrën se si institucionet e Kosovës e kanë organizuar aksionin në veri, duke thënë se me këtë veprim është rrezikuar siguria kombëtare.

Një gjë e tillë është mohuar nga këshilltarja e presidentes Osmani, Donjeta Miftari.

“Presdentja Osmani i diskutoi zhvillimet e fundit në veri të vendit me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, por në mënyrë të pasaktë është raportuar se gjatë kësaj telefonate Presidentja Osmani ishte paralajmëruar se vendimet e institucioneve kosovare e kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit. Unë isha e pranishme gjatë kësaj telefonate dhe e konfirmoj se kjo është e pasaktë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia.

Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova ka vendosur njësitë speciale të Policisë në afërsi të këtyre dy pikave, ndërsa Serbia ka shtuar praninë ushtarake në zonën kufitare.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.