Prerja e drunjve tek Teatri Kombëtar, Ministria e Kulturës del me sqarim

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalur me sqarim lidhur me prerjen e drunjve në afërsi të Teatrit Kombëtar të Kosovës. 

Nga Ministria janë arsyetuar se janë duke bërë investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar, për restaurimin dhe zgjerimin e hapësirave të tij. 

Prandaj, ata thonë se rrënjët e drurit kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës së teatrit andaj edhe është dashur ta presin në mënyrë që sipas tyre, t’a realizojnë projektin e paraparë për atë pjesë. 

“Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimim e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit”- thuhet në sqarimin e MKRS-së, sot më 15.11.2024. 

Ministria e Kulturës, kanë thënë se druri i prerë do të zëvendësohet dhe se hapësirat e gjelbërimit që janë të parapara, do të zbatohen në detaje. 

Tutje, ata kanë bërë të ditur se për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës dhe se për këtë projekt janë pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve. 

“Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht, dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale”- thuhet në njoftim. 

Ndërkaq, për këtë ka reaguar edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, të premten më 15.11.2024. 

Ai e ka quajtur këtë veprim një akt të pafalshëm dhe ka kërkuar llogari nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Prerja e drunjve tek Teatri Kombëtar, Zogaj: “Ne po mbjellim çdo ditë, ata po prejnë”